MENU
klinika

Vëmendje e shtuar për moshën e tretë

Vijojnë operacionet humanitare në Librazhd

31.03.2020 - 11:05

“Ne vazhdojmë me mendje e me zemër, përditë dhe pa pushim, ushqimin e rezistencës për ekzistencë, deri sa të dalim nga kjo luftë e egër që kërcënon qindra e mijëra jetë shqiptare”.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili bashkë me kryetarin e bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra takoi ekipin e djemve dhe vajzave të palodhur që po administrojnë rrjetin e operacionit humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë në Librazhd.

Balla tha se “gjatë këtij operacioni humanitar duhet të tregojmë vëmendje të shtuar sidomos ndaj moshës së tretë duke plotësuar të gjitha nevojat që ata kanë, në mënyrë që të mos dalin nga shtëpitë për asnjë arsye”.

“Për ne atdheu është një dhe çdo shqiptar është familja jonë sot më shumë se kurrë. Askush që ka realisht nevojë nuk do mbetet vetëm, duhet vetëm durim dhe respektim të rregullave të mbrojtjes”, tha ai.

Balla shprehu bindjen se Shqipëria do ta fitojë luftën dhe ata që shajnë e mallkojnë do t’i mohojnë ato që thonë sot.