Banka e Shqipërisë do t’iu ndalojë përkohësisht bankave tregtare shpërndarjen e dividendëve. Vendimi pritet të merret në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Mbikëqyrës dhe është një masë kujdesi, për shkak të situatës që po krijohet në ekonomi nga kufizimet e vendosura në muajin mars.
Pas shpërthimit së pandemisë së COVID-19, ka një shqetësim në rritje për pasojat që do të rrjedhin në ekonominë dhe sistemin financiar botëror. Institucionet mbikëqyrëse kanë nisur të marrin masa që bankat të jenë sa më të kapitalizuara për t’u përballur me goditje të mundshme.
Në fund të muajit mars, Autoriteti Bankar Europian (EBA), mbikëqyësi i sistemit bankar brenda Bashkimit Europian, u kërkoi bankave që të heqin dorë përkohësisht nga të gjitha shpërndarjet e dividendëve, riblerjet e aksioneve dhe nga të gjitha operacione të ngjashme, që mund të sjellin pakësim të kapitalit të bankave. EBA ka theksuar se lehtësimet e miratuara së fundmi në kërkesat për kapital duhet të përdoren për të mbshtetur bizneset e familjet dhe jo për të siguruar përfitime për aksionerët e bankave.
Muajin e kaluar, edhe Banka e Shqipërisë miratoi lehtësime të përkohshme në rregulloret për administrimin e rrezikut të kredisë, duke iu lejuar bankave të mos riklasifikojnë të gjithë kreditë që do të ristrukturohen deri në datën 31 maj. Kjo i çliron bankat nga detyrimi për të provigjionuar këto hua, që parashikohet në kuadrin rregullator normal. Ndryshimi në fjalë i hapi rrugë shtyrjes së kësteve të kredive për të gjithë huamarrësit që po përballen me vështirësi për shkak të gjendjes së krijuar nga epidemia e COVID-19.
Hapi i radhës do të jetë ndalimi i përkohshëm për të shpërndarë dividend, me qëllim që kapitalizimi i bankave të mos preket. Në fakt, sistemi bankar shqiptar ka një nivel mjaft të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit. Ky tregues ishte në nivelin 18.3% në fund të vitit 2019, ndërsa pas muajit mars vlerësohet të jetë rritur edhe më shumë, për shkak të hyrjes në fuqi të shtesave të reja makroprudenciale të kapitalit.
Mbështetur në standardet e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, fitimi neto i sistemit bankar për vitin e kaluar ishte rreth 20 miliardë lekë. Por, ndalimi për të shpërndarë dividendë përfshin edhe fitime të akumuluara nga vitet e mëparshme dhe të pashpërndara.