MENU
klinika

Furnizim për tre ditë

Beratasit dynden në markete, banka e dyqane

17.04.2020 - 09:32

Në pritje të shtetrrethimit të fundjavës që këtë javë fillon që sot në orën 17:30 e përfundon të hënën në orën 05:00 të mëngjesit, beratasit i janë drejtuar që herët në mëngjes dyqaneve ushqimore, marketeve dhe tregjeve të fruta-perimeve për të bërë furnizimin tre ditor. Të gjitha marketet e qytetit ka pasur radhë të gjata, duke respektuar distancën e përcaktuar dhe masat mbrojtëse.

Të shumtë kanë qenë edhe sot banorët që i janë drejtuar bankave për të tërhequr lekë për kryerjen e blerjeve të tyre familjare, ndërkohë që radhë të gjata janë shënuar edhe në sportel të pagesës së faturave të ujit dhe dritave.

Ndërkohë, me gjithë gjobat e vendosura nga policia ditët e fundit, beratasit dhe sidomos të rinjtë nuk po ndërgjegjësohen ende për gjendjen e rënduar që po kalon vendi ynë nga përhapja e virusit Covid-19 dhe po shëtisin çdo ditë në parqe e lulishte. Mësohet se që prej mëngjesit të sotëm janë gjobitur disa persona, kryesisht të rinj që nuk kishin leje për dalje nga banesat dhe që vijonin xhirot e tyre të përditshme. Edhe në akset rrugore të qytetit ka pasur prezencë të shtuar të efektivëve të policisë që po bëjnë kontrollin e mjeteve dhe qytetarëve, nëse kanë leje për të dalë nga banesat apo jo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sportelet dhe dyqanet të mbipopulluara

Berat/ Vijojnë grupimet në rrugë