MENU
klinika

Denaj thërret Këshillin e Investimeve

Biznesi: Na shqetëson papunësia, taksat e likuiditeti

15.04.2020 - 12:56

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Investimeve. Në mbledhje është diskutuar impakti në ekonomi i situatës së krijuar nga pandemia, si dhe nevojat për ridimensionim të ekonomisë në sektorë kyç në një periudhë afatmesme.

Situata e krijuar në ekonomi nga koronavirusi dhe nevoja për ridimensionin të sektorëve kyç në afatmesëm është diskutuar në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Investimeve, nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.

Ministrja prezantoi rezultatet e një anketimi që është zhvilluar me rreth 360 biznese.
Katër çështje janë vënë në dukje nga sondazh. Bizneset janë të shqetësuar më së shumti nga papunësia, rimbursimi i TVSH-së, ndërkohë që kërkojnë zbutje të gjobave nga administrata tatimore. Po ashtu, shqetësim për ta është likuiditeti, ndërkohë që kërkojnë ndihmë për rigjenerimin e agroindustrisë me skema të plota mbështetjeje dhe subvencioni.

Bizneset me të ardhura mbi 14 milionë mendojnë se shtyrja e afatit të pagesës së kredive është masa më e mirë e marrë nga qeveria, e ndjekur nga garancia sovrane dhe shtyrja e afatit të dorëzimit të pasqyrave financiare.
Po ashtu, bizneset me të ardhura më pak se 14 milionë mendojnë se masat mbështetëse ndaj biznesit të vogël, e shoqëruar nga pagesa e pagave dhe riskedulimi i pagesës së tatim-fitimit janë efektive.

Me mjaft rëndësi, sipas Ministres Denaj, është diskutimi me anëtarët e Këshillit të Investimeve lidhur me nevojën për ridimensionimin e zhvillimit ekonomik në periudhë afatmesme në disa sektorë kyç, të cilët së fundmi janë prekur nga pandemia COVID-19, ndërsa më parë nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Përfaqësuesit e biznesit kërkuan që nga ana e Qeverisë të merren masa në raport me disa industri të caktuara si ato fasonë, për të mbajtur në punë punonjësit, si dhe për ridimensionimin e kërkesave për penalitetet të cilat duhet të zbuten në këtë periudhë, si dhe për pushtetin vendor, i cili duhet të reflektojë me lehtësimin e taksave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN