Një muaj më parë, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) shkroi se nuk ka asnjë provë shkencore që të tregojë se ibuprofeni, ilaç anti-inflamator i përdorur gjerësisht, mund të përkeqësojë efektet e koronavirusit. “Në fillim të trajtimit të temperaturës ose dhimbjeve për shkak të Covid-19, pacientët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të marrin në konsideratë të gjitha opsionet e mundshme të trajtimit, duke përfshirë acetaminophen dhe NSAIDs, ilaçe anti-inflamatore josteroide“, theksoi Agjencia në përgjigje të ministrit francez të Shëndetësisë, Olivier Véran, i cili nga ana e tij përmendi një studim sipas të cilit marrja e ilaçeve anti-inflamatore, siç janë ato të bazuara në ibuprofen ose kortizon, mund të jetë “një faktor rëndues i infeksionit“.
Pneumonia dhe variçela
Rekomandimet janë përditësuar pasi Komiteti i Vlerësimit të Riskut të Farmakovigjilencës (Prac) ka paralajmëruar se ilaçet që përmbajnë ibuprofen dhe ketoprofen mund të “maskojnë” simptomat e disa infeksioneve. Pasoja mund të jetë vonesa në nisjen e terapisë, me rrezikun e efektivitetit të ulët. Analiza u përqendrua në veçanti në dy sëmundje: pneumoni bakteriale dhe variçelë me komplikacione bakteriale. Prandaj – thekson Komiteti – pacientët duhet të monitorohen kur ilaçet që përmbajnë ibuprofen dhe ketoprofen përdoren për të lehtësuar ethet ose dhimbjet për shkak të një infeksioni. Për më tepër, informacioni i bashkangjitur me produktet duhet të përditësohet.
Ibuprofen për simptomat fillestare?
Covid-19 (sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri) nuk përmendet drejtpërdrejt në dokumentin e Agjencisë Evropiane, por kohët e fundit disa ekspertë kanë deklaruar se ibuprofeni mund të përdoret për të trajtuar simptomat fillestare të tij. Pra shqetësimi ekziston. Në Mbretërinë e Bashkuar, MHRA (agjencia rregulluese e ilaçeve dhe produkteve të kujdesit shëndetësor), NHS (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit) dhe Instituti Kombëtar për Kujdesin Shëndetësor kanë rekomanduar në mënyrë të përsëritur të zgjidhet paracetamoli para ibuprofenit për simptomat e Covid-19. Disa ditë më parë erdhi ndryshimi i kursit (“ibuprofen mund të përdoret aq sa paracetamoli”), pasi Komisioni për ilaçe njerëzore deklaroi se nuk ka indicie të mjaftueshme që provojnë lidhjen midis ibuprofenit ose ilaçeve të tjera anti-inflamatore jo-steroide dhe përkeqësimit të infeksionit. Por tani gjërat kthehen në anën e kundërt.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka rekomanduar, në rast simptomash që lënë të dysosh për Covid-19 të mos merret ibuprofen me iniciativën e pacientit, por vetëm nëse rekomandohet nga mjeku. / Corriere.it