MENU
klinika

Mandati fillestar prej 12 muajsh

Dialogu Prishtinë-Beograd, Lajçak zyrtarisht i dërguari i BE-së

03.04.2020 - 13:05

Këshilli i Bashkimit Evropian, emëroi sot ish ministrin e punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Përmes një njoftimi, Këshilli thotë se “detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës”.

Mandati fillestar i Lajçakut do të jetë 12 muaj. Lajçak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018).

Ai ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën në vitet 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar atje.

Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Lajçak në emër të Bashkimit Evropian, mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi më 2006.