Akademia e Shkencave deklaron se ende nuk ka ardhur piku i COVID-19 në vendin tonë. Përmes një deklarate për shtyp, ASH shprehet se treguesit e përhapjes së virusit dhe të kurimit, flasin për mbërritje të pikut brenda dy javësh dhe kalimin në fazën e fillimit të uljes.
Sipas ASH, këto ritme bëjnë të mundur që gjendja të mbahet nën kontoll dhe që situata nga sistemi ynë shëndetësor të jetë e përballueshme. ASH shton se po vazhdon puna për prodhimin dhe vënien në përdorim të testeve sa më të shpejta, sa më informues e sigurisht sa më të sakta.
Deklarata e plotë:
GJENDJA COVID-19 NË SHQIPËRI PËRMES SHIFRASH DHE NJË PARASHIKIM I MUNDSHËM/ Vlerësim i Akademisë së Shkencave e cila po ndjek në vazhdimësi tërë problematikën që lidhet me ecurinë e pandemisë tek ne e gjetkë
Akademia e Shkencave, në bashkëpunim e kontakte të vazhdueshme edhe me Bashkimin Akademik Europian (ALLEA), nëpërmjet komisioneve të saj dhe njësive të kërkim-studimit, siç janë: komisioni i shëndetësisë, komisioni i matematikë-informatikës, komisioni i biologjisë dhe ai i ekonomisë, si dhe njësitë e nano- dhe bio-teknologjise po ndjek ecurinë e përhapjes së pandemisë dhe problematika që kanë dalë. Secili prej tyre ndjek çështjet e zhvillimit dhe të pasojave të COVID-19 sipas fushave përkatëse të tyre.
Para një jave, komisioni i shëndetësisë, në konsultim me atë të informatikës, tërhoqi vëmendjen se kjo periudhë do të ishte përcaktuese për ecurinë e pandemisë, shkaktuar nga SARS-COV-19 dhe bëri një vlerësim të asaj që pritej. Në vijim, nisur nga të dhënat e javës së fundit, si për përhapjen, ashtu dhe për pasojat dhe trajtimin e pandemisë, vlerësojme se:
PËR SHQIPËRINË
Pritet mbërritja e pikut dhe kalimi në fazën e fillimit të uljes.
Përhapja e pandemisë tek ne ka qenë me një ritëm të moderuar, që mund të konsiderohet nga me pozitivët e mundshëm. Nga rritja 18-19% në ditë, që ishte deri më 26 mars, ritmi ka zbritur në 7 % në ditë. Kjo ulje është prej marrjes në kohën e duhur të masave të kufizimit social dhe respektimit të tyre. Ritmi i shërimeve tek ne është gjithashtu nga më pozitivët, duke arritur deri në 29 % të të rinfektuarve gjithsej, e krahasueshme kjo me Gjermaninë e Danimarkën, gjegjësisht me 28 e 31 %. Ndërkohë ky tregues në Itali është tek 16, 6% dhe në shumicën e vendeve të tjera është nën 10%.
Këta tregues, të përhapjes së virusit dhe të kurimit, flasin për mbërritje të pikut brenda dy javësh dhe kalimin në fazën e fillimit të uljes. Këto ritme bëjnë të mundur që gjendja të mbahet nën kontoll dhe që situata nga sistemi ynë shëndetësor të jetë e përballueshme.
Treguesit flasin gjithashtu për një kurim të kujdesshëm e të suksesshëm në tërësi. Por, numri relativisht i lartë i humbjes së jetëve, është një apel për kapjen dhe trajtimin më në kohë e më të kujdesshëm të rasteve të rënda.
KOSOVA DHE VENDET FQINJE
Treguesit e ecurise nuk jane te stabilizuar kjo dhe per faktin se numri total i tË prekurve nga Covid – 19 varion nga 561, në Bosnje-Hercegovinë ne 126 ne kosovë. Ritmi me pozitv duket në Kosovë e Maqedoni. Bosnja e Mali i Zi ende nuk kanë kaluar në fazen e rritjes nën 10%
EUROPA E SHTETET MË TË PREKURA
Po fillon faza e vënies nën kontroll
Për javën që shkoi mund të flitet për një frenim të pandemisë, pas një shpërthimi të frikshëm dy javë më parë. Prej 5 ditesh rritja është nën 10 %, çka shënon kalimin në fazën e vënies nën kontoll të përhapjes së pandemisë. Për fat të keq kjo është shoqëruar edhe me rritjen e humbjeve njerëzore, çka vjen edhe nga mbingarkimi i sistemit shëndetësor prej shpërthimit të pandemisë në Spanjë, Francë, Gjermani etj. Tashmë Italia, vatra më problematike dhe më me ndikim tek ne, ka hyrë në javën e arritjes së pikut, sidomos në Lombardi, për të kaluar pastaj në daljen nga pandemia. Rritjet ditore në Lombardi janë prej ditësh në nivelin 4 %. Megjithatë, numri i humbjeve njerëzore është ende shumë i lartë, larg çdo parashikimi për indeksin e vdekshmërisë nga SARS-COV-19.
NË BOTË
Tabloja e përgjithshme është kjo: Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia vazhdojnë daljen nga pandemia. Përhapja dhe pasojat më të rënda tanimë kanë qenë në Europë, e cila ka nisur frenimin, siç jemi shprehur. Vatra e re dhe më kryesore tani janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, ku, pas shpërthimit të pandemisë, me ritme rritjeje 30-40 % në ditë, javën e fundit u vërejt një ulje e dukshme. Neë York, që përbën dhe shtetin më të prekur, këto ditë ka kaluar madje në rritjen nën 10 për qind në ditë.
PËRFUNDIME TË PARA
Pandemia po vihet në kontroll. Tek ne faza e kalimit në arritjen e pikut për të synuar më tej fillimin e uljes është ndër më të shpejtat. Por për të ruajtur këtë rezultat është i domosdoshëm respektimi i masave që janë ndërmarrë si dhe shtimi i testeve në gjurmimin e të infektuarëve. Ecuria e deritanishme përputhet me parashikimet. Simulimet e bëra nga anëtarët tanë, këtu apo jashtë vendit, tregojnë se është mundësia të vazhdohet të ecet sipas variantit më të mirë, por edhe varianti maksimal është i përballueshëm.
PËR MË TEJ.
Me shumë interes e shqetësim debatohet për zhvillimet pas kalimit të kësaj vale pandemike. Jo vetëm opinioni, por mbarë komuniteti shkencor e shëndetësor pyet se cila do të jetë strategjia për dominimin e plotë dhe mosrikthimin e pandemisë.
Për këtë, si një prej masave kryesore, pas mbylljes së vatrave të mëdha, konsiderohet shtimi e deri masivizimi i testeve dhe gjurmimin e të infektuarëv. Ndaj sot punohet për prodhimin dhe vënien në përdorim të testeve sa më të shpejta, sa më informues e sigurisht sa më të sakta.
Akademia e Shkencave, komisionet dhe njësitë kërkimore të saj do ta vazhdojnë të ndjekin ecurinë e procesit.
Anëtarë tanët ndjekin përvojat e kërkimet për to, madje ka edhe anëtarë që bëjnë pjesë në ekipet kërkimore, të gatshëm të japin informacione më të vyera për këtë rast.
Paralelisht punohet për përmirësimin e protokolleve e të medikamenteve për trajtimin e sëmundjes, si dhe për uljen e shkallës së transmetimit të virusit nga njëri tek tjetri. Me shumë prioritet e intensitet punohet në qendrat më elitare të shëndetësisë për mundësinë e gjetjes së një vaksine në një kohë sa më të shkurtër.
Komisionet e Akademisë së Shkencave dhe njësitë pranë saj përpiqen të ndjekin me përparësi zhvillimet dhe të rejat, nëpërmjet kontakteve që kanë me kolegë të tyre dhe janë në konsultim të vazhdueshëm me kolegët e vijës së parë në luftimin e pandemisë.
Akademia e Shkencave dhe posaçërisht komisioni i shëndetësisë me anëtarët:
Prof. A. Harxhi, prof. P. Kapisyzi të cilët për shkak të detyrës janë edhe në ballë të luftës kundër kësaj pandemie në spitalin infektiv si dhe prof. A. Ylli, G. Sulçebe, E. Prifti po ashtu që janë në terren dhe po e ndjekin ecurinë dhe japin orientime për luftën ndaj kësaj pandemie.
Gjithë kjo situatë ndiqet gjithashtu nga anëtarë të komisioneve të tjera që bashkëpunojnë me atë të shëndetësisë: nga komisioni i matematikës dhe informatikës përkatësisht akad. P. Petro dhe prof. E. Gjini; nga komisioni i bioteknologjisë akad. A. Merkoçi dhe prof. A. Bacu; nga komisioni i ekonomisë akad. A. Angjeli e prof. A. Civici, të cilët në çdo kohë janë të gatshëm të kontribuojnë për informimin e opinionit publik.