MENU
klinika

Analiza nga Robert J. Shiller

Dy pandemitë: COVID-19 dhe… Ankthi

01.04.2020 - 12:40

Parashikimi i tregut të aksioneve në një kohë të tillë është i vështirë. Për ta bërë mirë këtë, do të na duhej të parashikonim efektet e drejtpërdrejta që po shkakton COVID-19 në ekonomi, si dhe të gjitha efektet reale dhe psikologjike të pandemisë së ankthit financiar. Të dyja janë të të ndryshme, por të pandashme.

Nga Robert J. Shiller

Ne po ndiejmë efektet e ankthit jo të një pandemie, por të dy të tillave. Së pari, ekziston pandemia e COVID-19, e cila na bën të shqetësohemi sepse ne, ose njerëz që i duam, kudo në botë, mund të sëmuremi rëndë dhe madje të vdesim. Dhe, së dyti, ekziston një pandemi ankthi për pasojat ekonomike të së parës.

Të dy pandemitë janë të ndërlidhura, por nuk janë i njëjti fenomen. Në pandeminë e dytë, frika është përhapur aq shumë, saqë shpesh mendojmë vazhdimisht për të. Tregu i bursës ka rënë ndjeshëm, mesa duket në përgjigje të historive të COVID-19, të cilat po shkatërrojnë kursimet e jetës sonë, nëse nuk ndërmarrim ndonjë veprim. Por, ndryshe nga vetë COVID-19, burimi i ankthit tonë është se nuk jemi të sigurt se çfarë veprimi të ndërmarrim.

Nuk është lajm i mirë kur dy pandemitë punojnë njëkohësisht. Njëra mund të ushqejë tjetrën. Mbyllja e bizneseve, rritja e papunësisë dhe humbja e të ardhurave ushqen ankthin financiar, që nga ana tjetër, mund të pengojnë njerëzit, të dëshpëruar për punë, nga marrja e masave paraprake të duhura kundër përhapjes së sëmundjes.

Për më tepër, nuk është lajm i mirë kur dy sëmundje ngjitëse janë pandemi globale. Kur një rënie e kërkesës kufizohet në një vend, humbja përhapet pjesërisht jashtë vendit, ndërsa kërkesa për eksportet e vendit nuk zvogëlohet shumë. Por këtë herë, kjo valvul sigurie natyrore nuk do të funksionojë, sepse recesioni kërcënon gati të gjitha vendet.

Shumë njerëz duket se supozojnë se ankthi financiar nuk është gjë tjetër veçse një nënprodukt i drejtpërdrejtë i krizës COVID-19 – një reagim krejtësisht logjik ndaj pandemisë së sëmundjes. Por ankthi nuk është krejtësisht logjik. Pandemia e ankthit financiar, duke u përhapur përmes reagimit të panikut ndaj rënies së çmimeve dhe ndryshimit të narrativave, ka një jetë të vetën.

Efektet që ankthi financiar ka në bursën e aksioneve mund të ndërmjetësohen nga një fenomen që psikologu Paul Slovic nga Universiteti i Oregonit dhe kolegët e tij e quajnë “ndikimi deduktiv”. Kur njerëzit janë të mërzitur emocionalisht për shkak të një ngjarjeje tragjike, ata reagojnë me frikë edhe në rrethana kur nuk ka asnjë arsye për t’u frikësuar.

Në një punim të përbashkët me William Goetzmann dhe Dasol Kim, zbuluam se tërmetet e afërta ndikojnë në gjykimin e njerëzve për probabilitetin e një përplasje në tregun e aksioneve të përmasave të vitit 1929 ose 1987. Nëse do të kishte një tërmet i konsiderueshëm që përqendrohej brenda 48 kilometrave, brenda 30 ditëve të mëparshme, vlerësimi i të anketuarve për mundësinë e një aksidenti ishte dukshëm më i lartë. Kjo është ndikimi deduktiv, në funksion.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Mund të ketë më shumë kuptim të presim një rënie në tregun e aksioneve nga një epidemi sëmundjeje sesa nga një tërmet i kohëve të fundit, por mbase një përplasje të përmasave që kemi parë kohët e fundit. Nëse besohej gjerësisht se një trajtim mund të kufizojë intensitetin e pandemisë COVID-19 në çështje muajsh apo edhe që pandemia do të zgjasë një vit ose dy, kjo do të sugjeronte që rreziku i tregut të aksioneve nuk është aq i madh për një investitor afatgjatë. Dikush mund të blinte, të mbante dhe të priste.

Por një sëmundje ngjitëse e ankthit financiar funksionon ndryshe nga sëmundja ngjitëse. Ajo ushqehet pjesërisht nga njerëzit që vërejnë mungesën e besimit të të tjerëve, reflektuar në rënie të çmimeve dhe reagimin emocional të të tjerëve përballë këtyre rënieve. Një flluskë negative në tregun e aksioneve ndodh kur njerëzit shohin se çmimet po bien dhe, duke në përpjekje të zbuloni pse, nis përforcimi i historive, që shpjegojnë rënien. Pastaj, çmimet bien në ditët pasuese dhe përsëri dhe përsëri.

Vëzhgimi i uljeve vijuese të çmimeve të aksioneve krijon një ndjenjë të fuqishme pendimi për ata që nuk kanë shitur, së bashku me një frikë se dikush mund të shesë me çmime shumë të ulëta. Kjo keqardhje dhe frikë kryeson interesin e njerëzve për të dy narrativat pandemike. Aty ku shkon tregu, varet nga natyra dhe evolucioni i tyre.

Për ta parë këtë, konsideroni se tregu i aksioneve në Shtetet e Bashkuara nuk u thye kur, në shtator-tetor 1918, mediat e para filluan të mbulojnë pandeminë e gripit spanjoll, që përfundimisht mori 675,000 jetë amerikanësh (dhe mbi pesëdhjetë milion në të gjithë botën). Por ndryshe, çmimet mujore në tregun amerikan ishin në rritje, nga shtatori 1918 deri në korrik 1919.

Pse nuk u rrëzua tregu? Një shpjegim i mundshëm është se Lufta e Parë Botërore, e cila po i afrohej fundit të saj pas Betejës së Dytë të Marnes, në korrik-gusht 1918, mblodhi historinë e gripit, veçanërisht pas armëpushimit në nëntor të atij viti. Historia e luftës ka të ngjarë të jetë më ngjitëse se historia e gripit.

Një arsye tjetër është se epidemiologjia ishte vetëm në fillimet e saj. Përhapjet nuk ishin aq të parashikueshme dhe publiku nuk besonte plotësisht tek këshillat e ekspertëve, me respektimin “e ngathët” ndaj masave për distancimin shoqëror.

Për më tepër, besohej se krizat ekonomike ishin kriza bankare dhe nuk kishte asnjë krizë bankare në ShBA, ku sistemi i Rezervës Federale, i vendosur vetëm disa vjet më parë, në 1913, u trumbetua gjerësisht se eliminoi rrezikun.

Por mbase arsyeja më e rëndësishme që narrativa financiare u hesht gjatë ndikimit të epidemisë së vitit 1918 është se shumë më pak njerëz zotëronin aksione një shekull më parë dhe kursimi për pension, nuk ishte shqetësimi që është sot, pjesërisht sepse njerëzit nuk jetuan aq gjatë dhe në mënyrë rutinore varej nga familja, nëse do ta bënin këtë.

Kjo kohë, natyrisht, është e ndryshme. Ne shohim panikun e blerësve në dyqanet ushqimore lokale, në kontrast me 1918-n, kur mungesat e kohës së luftës ishin dukuri të zakonshme. Me recesionin e madh pas krahëve, me siguri jemi të vetëdijshëm për mundësinë e rënies së madhe të çmimeve të aseteve. Në vend të një lufte tragjike botërore, këtë herë ShBA është e shqetësuar me polarizimin e saj politik dhe ka shumë narrativa të zemëruara në lidhje me keqmrnaxhimin e krizës nga qeveria federale.

Parashikimi i tregut të aksioneve në një kohë si kjo është e vështirë. Për ta bërë këtë mirë, do të na duhej të parashikonim efektet e drejtpërdrejta në ekonominë e pandemisë COVID-19, si dhe të gjitha efektet reale dhe psikologjike të pandemisë së ankthit financiar. Të dy janë të ndryshëm, por të pandashëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë paralajmëron analiza e ekspertëve?

Bota përballë një vale të nacionalizmit ushqimor?


Paga e luftës/ Ndryshon VKM për paketën e dytë

Financat: Kush është pushuar nga puna përfiton 40 mijë lekë

Japoni/ Shifrat e Ministrisë së Ekonomisë

Bie ndjeshëm prodhimi industrial nga COVID-19