Kërcënimet për sigurinë kombëtare kufizojnë mosmarrëveshjet politike të brendshme.
Në mungesë të tubimeve të mëdha apo mitingjeve të fushatave, debati politik ka emigruar plotësisht në media, e cila po i kushton vëmendjen e saj të plotë sëmundjes. Kjo po ndodh për arsye pragmatike, mbulimi i COVID-19 është ajo që kërkon publiku aktualisht, por edhe për arsye etike: sigurimi i informacionit të saktë në lidhje me koronavirusin është një shërbim i nevojshëm.
Megjithatë, media nuk kursen as partitë dhe lëvizjet e opozitës politike. Prandaj, Joe Biden, kandidati i supozuar demokrat për të sfiduar presidentin amerikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, në thelb është zhdukur brenda natës.
Në vend të kësaj, amerikanët shohin çdo ditë konferencat për shtyp të Trump. Në mënyrë të ngjashme, në Izrael, Benny Gantz, politikani kryesor i opozitës, ka vendosur të bashkohet me një qeveri të re të udhëhequr nga Kryeministri Binyamin Netanyahu.
Në Evropën Qendrore dhe Lindore, qeveritë populiste po shfrytëzojnë pezullimin e jetës normale për të zbatuar plane të mbajtura pezull për një kohë të gjatë.
Me median ndërkombëtare të përqendruar plotësisht tek pandemia, pak njerëz do të vërejnë atë që po ndodh në Hungari ose Poloni.
Raportimet për liderin de fakto të Polonisë, Jarosław Kaczyński dhe kryeministrin hungarez Viktor Orbán duket se thuajse mungojnë.
Ndërsa opozita hungareze po proteston kundër “gjendjes së jashtëzakonshme” të imponuar të Orbán, opozita polake po kërkon një të tillë.
Parlamenti i Hungarisë i ka dhënë Orbán-it autoritetin për të qeverisur me dekret për një periudhë të pacaktuar kohe. Pasi t’i jepet kompetenca emergjente, ai do të jetë në gjendje të pezullojë të drejtat individuale dhe t’i detyrojë njerëzit të bëjnë ç’të dojë ai. Qeveria e tij gjithashtu do të jetë në gjendje të burgosë , deri në pesë vjet, gazetarët që konsiderohet se po përhapin informacion të rremë ose të ndryshuar.
Në të kundërt, në Poloni, gjëja e fundit që dëshirojnë Kaczyński dhe partia e tij Ligji dhe Drejtësia (PiS) është të krijojë një gjendje të jashtëzakonshme, sepse duke bërë kështu do të nënkuptojë shtyrjen e zgjedhjeve të ardhshme. Në kushtet e tanishme, presidenti aktual i Polonisë, Andrzej Duda, është i sigurt që do të fitojë rizgjedhjen më 10 maj.
Votuesit polakë, nga frika e pandemisë, kanë fare pak oreks për konfliktet mes partive.
Donald Tusk, ish-kryeministri polak dhe ish-President i Këshillit Evropian, shprehu zhgënjimin nga opozita polake për qëndrimin e saj tepër të nënshtruar.
Dhe ai tha gjithashtu “Vetëm një i çmendur ose një kriminel mund të propozojë mbajtjen e zgjedhjeve tani”.
Kaczyński dhe partia e tij nuk po i fshehin qëllimet e tyre për të bërë presion që zgjedhjet të mbahen gjatë krizës.”Sot, në kushte të ndryshme, ne kemi nevojë për menaxhim efektiv të krizave dhe stabilitet politik. Kjo është edhe arsyeja pse këto zgjedhje duhet të mbahen më 10 maj. “
Ndërkohë, zgjedhjet dhe referendumet tashmë janë shtyrë ose ndryshuar në më shumë se 20 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Spanjën, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Prandaj nuk është për t’u habitur që 72% e polakëve të anketuar besojnë se zgjedhjet presidenciale duhet të shtyhen.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al