Reperi Arian Agushi, i njohur për publikun si Gold AG dy ditë më parë publikoi këngën e tij më të re ‘Shkronjat e arta’. Ndërsa ditën e djeshme bëhet me dije se reperi është shoqëruar në polici.
Në këngën e dedikuar UÇK-së, Gold AG përmend edhe deklaratën e bujshme të Shkëlzen Gashit, dhe kjo duket se i ka hapur probleme.
Sipas Policisë, kënga përmban nxitje të përçarjes. Zëdhenësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për mediat kosovare se Gold AG sot u intervistua nga policia lidhur me këtë këngë.
“Sot në koordinim me Prokurorinë themelore në Prishtinë, është iniciuar rast Nxitja e përqarjes dhe mosdurimit. Lidhur me këtë rast është intervistuar viktima dhe po ashtu edhe i dyshuari. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar, rasti shkon në procedurë të rregullt”, tha Ahmeti.
Kujtojmë se, në fillim të muajit mars, Gold AG i dha fund beqarisë në një ceremoni shumë private.