MENU
klinika

Masat kufizuese për Covid-19

Haradinaj: Qeveria shkeli Kushtetutën për të uzurpuar pushtetin

14.04.2020 - 08:17

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj masave të reja të qeverisë së Kosovës për kufizim të lëvizjes, për të cilën shprehet se është cenuar rëndë rendi kushtetues.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shprehet se me këtë vendim antikushtetues që nuk e përfill vendimin e fundit të Kushtetueses, qeveria ka uzurpuar pushtetin dhe ka shkelur të drejtat e njeriut.

Postimi i plotë
“Me masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, në emër të parandalimit të Covid-19 dhe menaxhimit të gjendjes në vend, rendi kushtetues është cënuar rëndë. Qeveria e Kosovës, me këtë vendim anti-kushtetues, ka uzurpuar pushtetin. Duke e injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria ka cënuar rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Veprimet anti-kushtetuese, me gjithë gjendjen e krijuar nga pandemia, nuk mund të tolerohen. Kosova është Republikë parlamentare dhe kushtetuese dhe çdo ndërhyrje ose uzurpim pushteti është i dënueshëm. RH”

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë mori masa të reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19, të cilat do të hyjnë në fuqi të mërkurën më 15 prill, duke nisur nga ora 06:00.