MENU
klinika

Perandoria e kuqe!

“Kina e Xi Jinping mund t’ia arrijë ku Bashkimi Sovjetik ka dështuar”

15.04.2020 - 07:37

Objektivi është hegjemonia. Flasin disidenti Liao Yiwu dhe ekspertë të tjerë.

Nuk duken radhë të kompozuara në qershorin e 1989, por në shkurtin e 2020: “Masakra e radhës do të ndodhë në Centralin e Utopisë. Presidenti është ftohur, popullsia teshtin dhe gjendja e luftës është shpallur. Aparati shtetëror, me dhëmbë të rënë, shtyp të sëmurët që guxojnë t’i kundërvihen…”.

Shkrimtari dhe disidenti kinez Liao Yiwu e shkruan këtë poezi gjatë masakrës së Tien An Menit. “Jam arrestuar pse kam shkruar dhe recitur këtë poezi, “Masakër”, në orët e para të 4 qershorit 1989”. Duke folur me “Il Foglio”, Liao është i zemëruar.

Jo vetëm me regjimin kinez, të cilin e urren, por edhe me Perëndimin, ku tani jeton. “Europa shfaq të gjithë dobësinë e saj. Nuk e kupton se ofensiva kineze ia kërcënon lirinë dhe vlerat. Jam dënuar për krime kundërrevolucionare me 4 vjet burg. Kam qenë në 4 burgje të ndryshme dhe me më shumë se 20 të dënuar në krahun e vdekjes.

Kam tentuar 2 herë vetëvrasjen pasi nuk duroja torturat”. Autobiografia e tij është botuar në Gjermani dhe ka fituar Çmimin Ndërkombëtar për Paqen e Botuesve Gjermanë. Angela Merkel është takuar 5 herë më Liao, i ka lexuar dhe i ka këshilluar librat e tij. Në Francë ka botuar edhe “Dans l’empire des ténèbres”, që ish ministri Robert Badinter e ka quajtur “një dëshmi të madhe në vazhdën e Dostoevskij dhe Solzhenitsyn”.

Sipas Liao, që sot jeton në Berlin dhe që ishte mik i nobelistit kinez Liu Xiaobo, janë 70 vite që regjimi kinez e brutalizon popullin e tij. “Nëpërmjet gënjeshtrash dhe msakrash, nga Mao Ce Duni tek Ten Hsiao Pini. Zija e bukës e vitit 1962 shkaktoi rreth 4 milion të vdekur nga uria. Kishin nevojë të mundnin armiqtë politikë dhe t’i bënin lavazhin e trurit njerëzve”, vazhdon Liao. Pandemia i ka dhënë një goditje të rëndë regjimit. “Kjo është kriza më e madhe me të cilën ndeshet që kjo perandori komuniste qysh nga masakra e Sheshit Tien An Menit e vitit 1989, njëlloj si Çernobili në ish Bashkimin Sovjetik. Në Tien An Men perëndimorët do të duhej ta kuptonin.

Megjithatë, është mëkat që më pas Perëndimi e ka harruar. Tani, si një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm historikë të Kinës dhe si shkrimtar kinez i përkthyer në Perëndim, u kujtoj sërish njerëzve: ky është burgu më i madh i botës për lavazhin e trurit. Gardiani aktual, Xi Jinping, është një pervers që mbështet dhunën dhe vjedh e përdor teknologjinë perëndimore. E ashtuquajtura “Ëndërr kineze” e tij është ajo e transformimit të botës në një burg të padukshëm për kinezët nëpërmjet mjetesh teknologjike. Politikanët dhe konsorciumet perëndimore e etur për para janë tërhequr në mënyrë të pavullnetshme, është një dobësi e natyrës njerëzore”.

Ka, si Niall Ferguson, që flasin për “Luftë të Ftohtë të re”. Një libër i Gordon G. Chang i vitit 2001 titullohej “The Coming Collapse of China”. Aspak kolaps. Qysh atëhere PBB-ja kineze është pesëfishuar, barakopolit e saj janë shndërruar në kolosë hipermodernë çeliku e xhami dhe rritja e Kinës është 3 herë ajo e Amerikës. Kështu që tani Pekini ëndërron ta asimilojë Perëndimin. Tom Tugendhat, kreu i Komisionit të Punëve të Jashtëm i Dhomës së Komuneve angleze, sapo ka deklaruar: “Kina është e vendosur të krijojë një rend të ri botëror me veten në krye të tij”. Gjysma e automobilave të botës, 80% e kompjuterëve, 90% e celularëve dhe e ilaçeve bazë prodhohen në Kinë. Asnjë vend tjetër nuk ka arritur ndonjëherëë një progres social dhe ekonomik kaq të shpejtë për një periudhë kohore kaq të gjatë.

“Ndodhemi në atë që gjermanët e quajnë Systemëettbeëerb ose konkurrencë sistemesh, midis demokracive liberale dhe kapitalizmit kinez, që po po e projekton gjithnjë e më shumë pretendimin e tij absolut të pushtetit përtej kufijve”, ka thënë Thorsten Benner, themelues dhe Drejtor i Global Public Policy Institute në Berlin. Lufta e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik ishte më e qartë. “Kishim një antagonist ideologjik dhe të sigurisë që nuk ishte konkurrent ekonomik. Kurse sot ndodhemi përballë një kundërshtari që është konkurrent i fuqishëm ekonomik dhe i implikuar në mënyrë komplekse në ekonominë dhe politikën e Perëndimit. Sistemi kapitalist autoritar kinez me ambiciet e tij hegjemonistë është padyshim sfida më e vështirë me të cilën Perëndimi është ndeshur deri më tani”.

Në vitin 2013, një direktivë sekrete e Partisë Komuniste Kineze, e njohur si “Dokumenti Nr. 9”, kërkonte refuzimin e 7 ideve perëndimore si “demokracia kushtetuese”, “vlerat universale” e të drejtave të njeriut dhe akoma, pavarësia e mediave, pjesëmarrja civile, tregu pa autoritet publik dhe kritikat “nihiliste” ndaj të kaluarës së Partisë Komuniste. Në diskutime dhe dokumenta zyrtare, Presidenti Xi Jinping flet për një luftë midis “socializmit me tipare kineze” dhe “forcave perëndimore armiqësore ndaj Kinës”, me idetë e tyre “jashtëzakonisht të këqija” të lirisë, demokracisë e të drejtave të njeriut. Perëndimi duket se është shndërruar në objektiv.

Për këtë flasim me Jean-Pierre Cabestan, që je mësim në Hong Kong Baptist University dhe autor i librit “China Tomorrow: Democracy or Dictatorship?” (Roëman & Littlefield, 2019). Sipas Cabestan, Xi është më shumë Brezhnjev sesa Gorbaçiov. “Për shkak të ngadalësimit ekonomik, rritjes së borxhit të brendshëm, impaktit të COVID-19 dhe të një shkëputjeje graduale midis Kinës dhe Perëndimit, sidomos Shtetet e Bashkuara”, Kina rrezikon stanjacionin. “Kina është një sistem monopartiak që paraqet shumë prej tipareve të përbashkëta me ish Bashkimin Sovjetik, me struktura ekonomike më fleksibël e të diversifikuara dhe një shoqëri më të globalizuar e të hapur, por ende fuqimisht e kontrolluar; me fjalë të tjera, partia është përshtatur më mirë në mjedisin e ri ndërkombëtar dhe me globalizimin ekonomik e vendeve të tjera socialiste (përjashto Vietnamin) pa luajtur sipas rregullave dhe të drejtave të njeriut”.

Cabestan bie dakord me Ferguson: “Ekziston një lloj i ri i Luftës së Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara e Kinës dhe, për pasojë, me Perëndimin në tërësinë e tij, përfshi Japoninë, edhe pse për këto vende është më pak e dukshme. Është i “ri” për shkak të shkallës së ndërvarësisë midis ekonomisë kineze dhe atyre perëndimore. Nën Xi, Kina ka ndërmarrë një luftë ofensive kundër demokracisë, vlerave universale, drejtësisë së pavarur, OJQ-ve, shoqërisë civile, të gjitha vlera në të cilat besojmë”. Krahasimi me Bashkimin Sovjetik është i vlefshëm deri në një pikë të caktuar: “Sistemi politik është një formë e modernizuar dhe e dixhitalizuar e leninizmit dhe deri edhe e stalinizmit të stimuluar nga një nacionalizëm jotolerant, ndërsa ekonomia është një përzierje e ekonomisë së administruar dhe e një ekonomie private të mbështetur nga shteti për të pushtuar botën, si Huawei apo Alibaba. Me fjalë të tjera, Kina është një kafshë e re me kokë sovjetike dhe këmbë aziatike të frymëzuara nga tigrat aziatikë”.

Cili është sot rreziku kryesor strategjik e gjeopolitik për Perëndimin? “Rreziqet më të qarta me të cilat po përballet Perëndimi në tërësinë e tij janë ambiciet teknologjike dhe industriale të Kinës e përcaktuara qartë në planin e saj “Made in China 2025”, i shpallur në vitin 2015. Demokracitë moderne duhet ta ruajnë avantazhin e tyre teknologjik dhe t’i mbrojnë më mirë të drejtat e pronësisë intelektuale; rreziku i dytë është influenca ndërkombëtare në rritje e Kinës, sidomos në sistemin e Kombeve të Bashkuara”.

I treti është më strategjik dhe ushtarak, “i ndjerë fuqimisht në Amerikë sepse Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi sigurie në rajonin Indo – Paqësor, më pak në Europë, përveçse ndoshta në Francë që ka pak interesa, por afatgjata, në Paqësorin e Jugut. Tajvani dhe Deti i Kinës Jugore janë pikat e nxehta kryesore ku mund të shpërthejë një konflikt midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara e aleatëve të tyre”. Nga pandemia do të dalë një gjeopolitikë e re. “Perëndimi do ta kujtojë se të jesh shumë i varur nga Kina është një dobësi. Kontrolli i sëmundjeve dhe i epidemive do të bëhet një prej prioriteteve më të mëdha të sigurisë në vitet e ardhshme, pasi mund të destabilizojnë jo vetëm ekonominë, por edhe shumë shoqëri”.

Victor David Hanson, Historiani i Stanford University, mendon se Kina është në rënie. “Emri i saj sot është i errësuar dhe pjesa më e madhe e komppanive dhe e vendeve nuk do t’i besojnë asaj që thotë Kina. Ajo është shumë më afër arritjes së hegjemonisë globale nga sa ishte Bashkimi Sovjetik, edhe pse nuk e ka frikësuesin shkatërrimtar bërthamor të Moskës. Thënë këtë, shumë vende europiane dhe Shtetet e Bashkuara pjesërisht janë hipotekuar nga institute kreditimi kineze. Kina është një kundërshtar i vështirë që i ka studiuar në mënyrë brilante patologjitë perëndimore, si politika e identitetit dhe multikulturalizmi, me rezultatin orwellian që kombi më racist dhe më pak i diversifikuar i botës, që ka kampe internini, është viktimë e racizmit dhe ksenofobisë të supozuar perëndimore, në momentin ku perëndimorët reklamojnë me të drejtë fajësinë e Kinës për një katastrofë botërore”.

Në frontin e kundërt, gjithmonë në kuadrin konservator, është David P. Goldman, themeluesi i Asia Times dhe që për një kohë të gjatë ka shkruar me pseudonimin “Spengler”. Përgatitet të botojë një libër të ri, të titulluar “You Will Be Assimilated: China’s Plan to Sinoform the World”. “Në gjendjen aktuale, Shtetet e Bashkuara do të kalohen nga Kina në vitet e ardhshme dhe pasojat për standardet amerikane të jetesës e të sigurisë do të jenë katastrofike”, shpjegon Goldman. “Epidemia zbulon dobësinë e Kinës, por ka treguar edhe pushtetin dhe mizorinë e shtetit kinez. Kina e ka përdorur pushtetin absolut e shtetit kinez për të vënë në karantinë qytete të mëdha sa një shtet europian, të ndaojë transportin dhe të kontrollojë lëvizjet e qindra milionë njerëzve”. Fajkojtë amerikanë mendojnë se kanë të bëjnë me Bashkimin Sovjetik e viteve ’80. “Sikur të ishte kaq e lehtë”, vazhdon Goldman. “Kina është diçka krejtësisht e ndryshme.

Komunistët sovjetikë u thoshin shkencëtarëve të tyre: “Shpikni ndonjë gjë dhe do ju japim një medalje dhe një daçë”. Kurse Kina u thotë: “Shpik diçka të re, bëj një ofertë publike fillestare dhe bëhu miliarder”. Ka më shumë marksistë në Cambridge e në Massachusetts sesa në të gjithë Kinën. Kam takuar një profesor marksist në një darkë disa vite më parë në Pekin, një tip simpatik që jepte Doktrinën Marksiste – Leniniste në Shkollën e Partisë Komuniste. Vajza e tij sapo ishte diplomuar në një prej universiteteve më të mira amerikane dhe më kërkoi nëse mund ta ndihmoja t’i gjeja punë në Wall Street. Nuk kemi të bëjmë me burokratë sovjetikë pijanecë e të korruptuar, por me një elitë mandarinësh të diplomuar. Amerikës i duhet të përballet me diçka shumë më tepër dekurajues se marksizmi i ngrënë nga tenja: një Perandori 5000 vjeçare pragmatiste, kureshtare, adaptuese, e pamëshirshme dhe e uritur”.

Për herë të parë në histori, Kina ka arritur të asimilojë një masë kritike të elitës shkencore të Perëndimit dhe ta shfrytëzojë për ambiciet e saj globale. “Kina ka ndërtuar rrjetin autorrugor më të gjatë të botës, rrjetin hekurudhor me shpejtësi të lartë më të madh të botës dhe mjaftueshëm banesa sa për tëë spostuar 600 milion njerëz nga fshati në qytet. Asgjë nga këto nuk ekzistonte 30 vite më parë. Infrastruktura kineze është mrekullia e botës moderne. Krahasuar me aeroportet, rrugët dhe linjat hekurudhore të Kinës, pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara duket si një vend i Botës së Tretë. Tani Kina ka më shumë shkencëtarë dhe inxhinierë se Shtetet e Bashkuara, Europa, Japonia, Tajvani dhe Koreja e Jugut të marra sëbashku dhe 4 herë më shumë se Shtetet e Bashkuara”. Në ndryshim nga Bashkimi Sovjetik, Kina nuk synon në ndonjë perandori. “Dëshiron asimilimin global me rrugë indirekte. Bota nuk e ka parë kurrë diçka të ngjashme me hyrjen e Kinës në skenën globale. Leon Trotsky thoshte se anipse nuk je i interesuar për luftën, lufta është e interesuar për ty. E njëjta gjë vlen për Kinën”.

8 vite më parë, në ish Kishën e Shën Palit në Frankfurt, përballë elitës gjermane, Liao Yiwu ka akuzuar Perëndimin për dobësinë e tij ndaj Kinës. “Xhelati po fiton, i gjithë vendi bëhet skllavi juaj, duke e plaçkitur dhe shkatërruar deri sa t’i thithë palcën e kockave”, thotë Liao. “U kanë thënë biznesmenëve perëndimorë: “Hajdeni, ndërtojini këtu fabrikat tuaja. Deri kur të mos flitet për të drejtat e njeriut, mund të bëni gjithçka”. Për ta zhdukur represionin dhe dhënë “opiumin” popullit, kinezët kanë qenë inkurajuar të vrapojnë pas parave. Perëndimorët e shikojnë Kinën me sytë e shqyer, të magjepsur si plaku kur sheh një vajze të re”. (Il Foglio, bota.al)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


CNBC/ "Themeli i luftës është ekonomia"

“Me apo pa koronavirus, Kina do tejkalojë SHBA”

CNBC/ Ekspertët: Planifikoni tani para se...

“Kina është ende Kinë, ekonomia ende ekonomi”