Kriza e koronavirusit po detyron njerëzit në të gjithë botën të izolohen në shtëpitë e tyre, gjë që për shumë ofron një mundësi për vetë-reflektim.
Në të njëjtën kohë, lajmet për rritjen e vdekjeve të lidhura me koronavirusin po shkaktojnë frikë kudo. Tani për tani, ne varemi nga solidariteti i të tjerëve. Dhe nga ligjvënësit që duhet të tregojnë mirëkuptim, veçanërisht në vendet autoritare si Turqia.
Por, pavarësisht këtyre kohërave të vështira, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vazhdon të praktikojë stilin e tij shtypës të udhëheqjes, me gazetarët dhe disidentët që burgosen për bindjet e tyre politike.
Nuk ka fund përndjekja e gazetarëve
Parlamenti i Turqisë tani ka miratuar një ligj që lejon amnisti për rreth 90,000 persona për shkak të koronavirusit. Gazetarët dhe të burgosurit politikë janë përjashtuar në mënyrë të qartë nga kjo amnisti, megjithëse, ata kurrë nuk duhet të ishin burgosur.
Megjithëse opozita parlamentare e Turqisë bëri thirrje që amnistia të jepet për të gjithë të arrestuarit, Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit të Erdogan (AKP) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), kundërshtuan kërkesën e saj.
Jo më sundim i ligjit
Nuk ka asnjë mjet ligjor për të sfiduar masat e paligjshme të qeverisë. Këshilli i Gjykatësve dhe Prokurorëve të Turqisë ka humbur pavarësinë e tij dhe tani kontrollohet nga sistemi politik. Gjashtë individë në këshillin me 13 anëtarë zgjidhen drejtpërdrejt ose indirekt nga presidenti, ndërsa shtatë të tjerët zgjidhen nga parlamenti. Kontrolli mbi gjyqësorin e Turqisë përbën një problem të madh.
Padi për ata që kritikojnë mungesën e veprimit për koronavirusin
Pritet që qeveria së shpejti do të miratojë një ligj për kritikat për trajtimin e krizës së koronavirusit, gjithashtu. Qeveria ka frikë nga gazetarët që akuzojnë Erdoganin për masat për koronavirusin, dhe për donacionet që po bën kudo nëpër botë. Erdogan po persekuton pamëshirshëm kritikët e tij. Javën e kaluar, ai ngriti akuza kundër Fatih Portakal, një moderator të njohur, që kritikoi dhuratat e Erdoganit në Twitter. Ai së shpejti do të dale para drejtësisë, ashtu si shumë të tjerë që guxojnë të flasin.
Ata që kërkojnë demokracinë, lirinë dhe sundimin e ligjit në Turqi dhe kritikojnë publikisht arrestimet arbitrare dhe padrejtësitë janë “duke bërtitur në erë”. Sepse ata kërkojnë diçka që nuk mund të gjendet: drejtësi në një vend plot padrejtësi.
Hülya Schenk
Përkthyer dhe përshtatur nga Deutsche Welle/ konica.al