MENU
klinika

Elozhet për Foto Strakoshën

“Portieri që priti më shumë penallti në Greqi”

10.04.2020 - 16:27

Në një gazetat greke kryeartikulli hapej me foton e ish-portierit shqiptar Foto Strakosha me mbishkrimin: “Ky është portieri që priti më shumë penallti”. Në vitet e fundit po flitet gjithnjë e më shpesh për djalin e tij, Thomas, që aktivizohet te Lazio dhe po shkëlqen, por tashmë është radha e Fotos për të qenë lajm i parë në mediat greke.

Portali i njohur helen, sa u përket statistikave në kampionatin grek, “Capitano.gr”, i ka kushtuar një shkrim të zgjeruar rekordit që ish-portieri i Kombëtares shqiptare vendosi në moshën 40-vjeçare në Superligën helene.

“Më 3 prill 2005, Foto Strakosha luajti në kampionat për herë të parë si titullar atë sezon me Panioniosin. Portieri shqiptar ishte 40 vjeç dhe u kthye në skuadrën nga Nea Smirni për t’i dhënë fund karrierës. Luhej në Korfuz dhe skuadra vendëse përfiton një penallti, e cila u godit nga Ksenofoni Gitas, por Foto e priti atë.

Me këtë 11-metërsh, ai arriti në 14 penallti të pritura në karrierën e tij në Superligën greke. Një shfaqje unike në historinë e kampionatit, pasi Strakosha tejkaloi rekordin e ish-portierit të Panathinaikosit, George Davkos, i cili kishte pritur 13 penallti që nga viti 1995”, – shkruante portali grek për rekordin e Strakoshës.

 

Në Greqi ish-portieri kuqezi, që sot është 55 vjeç, luajti për skuadra si Olimpiakos, PAS Janina, Panionios, Ethnikos Pireu, Ionikos, Kalithea, Kallamata dhe Prodheftiqi. Karrierën e mbylli pikërisht te Panioniosi me një rekord penalltish. Me kombëtaren shqiptare, Strakosha u aktivizua në 59 ndeshje, ku vetëm 9 ishin miqësore, ndërsa pjesa tjetër kualifikuese për Europianin ose Botërorin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Këshilla e të atit për Strakoshën

Penalltitë, sekreti i Fotos për të birin