MENU
klinika

Mbështetje për rritjen ekonomike

Mbërrin në Kuvend ratifikimi i marrëveshjes Shqipëri-Francë

07.04.2020 - 13:27

Dy agjenci franceze, ajo e Zhvillimit, të Proparco dhe të Expertise France do të nisin punën për të mbështetur rritjen ekonomike në Shqipëri.

Në Kuvend ka mbërritur pr/ligji për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, në lidhje me themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, të Proparco dhe të Expertise France në Shqipëri.

Kjo marrëveshje ka si qëllim kryesor rritjen e bashkëpunimit në kuadër të programeve për investim në vendin tonë nëpërmjet subvencioneve, huave afatgjata dhe garancive që i jepen shtetit, njësive vendore dhe sipërmarrjeve dhe institucioneve publike dhe private, duke mbështetur rritjen ekonomike.

“Marrëveshja formon grupin AFD dhe Expertise France, të cilat priten të jenë një mbështetje për rritjen ekonomike në vend, pasi këto institucione publike, industriale dhe tregtare vënë në jetë politikën franceze për ndihmë dhe zhvillim duke vepruar nën kontrollin e ministrive me të cilat bashkëpunojnë ngushtë. AFD-ja si institucion financiar për zhvillim pritet të mbështesë dhe të rrisë investimet në vendin tonë, për sa kohë ky është dhe një nga misionet parësore të kësaj agjencie. Ky grup zhvillon dhe mbështet iniciativa ekonomike në një rrafsh të gjerë gjeografik e për rrjedhojë pritet të ketë ndikim me projekte të larmishme në të gjithë vendin. Expertise France, si një entitet publik mobilizon ekspertizën franceze dhe ndërkombëtare për të mbështetur në përcaktimin dhe zbatimin e politikave publike, që u përgjigjen sfidave institucionale, ekonomike, demografike dhe sociale. Expertise France ndihmon për një qasje të integruar të politikave publike”, thuhet në relacionin shoqërues të p/ligjit.

Marrëveshja me qeverinë e Republikës së Francës në lidhje me themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, të Proparco dhe të Expertise France në Shqipëri tregon për angazhimin serioz dhe të vazhdueshëm që ka pasur Shqipëria në zhvillimin, përmirësimin dhe inkorporimin e standardeve dhe përvojave ndërkombëtare në politikat ekonomike në vend.

Kjo marrëveshje është një iniciativë që do të shërbejë si instrument për bashkëpunime të vazhdueshme me shtetin francez apo dhe me shtetet e tjera, që duan të japin përkrahjen ekonomike dhe financiare, për një vend në zhvillim si Shqipëria.