MENU
klinika

“Flamuri” i Romës

Nga Botërori te lamtumira, Totti rrëfen karrierën

03.04.2020 - 17:00

Nga një flamur i Romës, te shpallja kampion bote në 2006 me Italinë, padyshim që Francesco Totti ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme e lidhur vetëm me dy ngjyra: verdhekuqe dhe blu. Në një intervistë për “Sky”, ai iu rikthye disa fazave të rëndësishme të karrierës, duke filluar nga “Gjermania 2006”, një kompeticion që rrezikoi ta humbiste për shkak të një dëmtimi.

DËMTIMI PARA BOTËRORIT – “Unë u lëndova në shkurt, ishte dëmtim shumë serioz. Profesor Mariani më operoi atë mbrëmje për frakturën e bulës dhe këputjen e ligamenteve. Në atë moment isha i bindur që nuk do të shkoja në Kupën e Botës.

Ai më tha se kishte bërë gjithçka dhe se në vazhdim do të varej nga unë. Të nesërmen më vizitoi Lippi, më foli me dashuri të madhe. Më dha forcën për të dalë nga ai tunel. Ndodhi falë tij dhe shokëve të mi të skuadrës, që arrita të fitoja trofeun më të rëndësishëm në botë.”

LARGIMI NGA KOMBËTARJA – “E kisha marrë vendimin për t’u larguar nga Kombëtarja që para atij lëndimi. Kam luajtur 60 ndeshje në vit, kisha një problem mbrapa dhe m’u desh të hiqja dorë nga diçka. Unë nuk mund ta lija Romën mënjanë, ajo ka qenë jeta ime. Për fat të mirë, e mbylla me ekipin kombëtar pasi fitova një Kupë Bote”.

KURRË LARG ROMËS – “A mund të vazhdoja pas lamtumirës me Romën? Unë e respektoj atë që ka bërë Daniele De Rossi, të gjithë janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Kam pasur disa mundësi, si në Itali, ashtu edhe jashtë saj, por kam pasur dyshime.

Doja të vazhdoja të luaja, ndjeva se mund të jepja diçka më shumë, por në fund të fundit, edhe një vit, ose dy nuk do të kishin ndryshuar asgjë. Unë kisha bërë një zgjedhje dhe duhej të përfaqësoja një fanellë të vetme klubi. Të luaja një vit larg Romës do të kishte zhbërë gjithçka në këtë drejtim, një jetë të tërë”.

totti messi

OFERTAT – “Më donin në Amerikë, në Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe në Serie A. Sampdoria më donte me çdo kusht. Presidenti Ferrero është roman dhe romanist, ai kishte një vend të rezervuar për mua. Më tha se do të bënte çdo gjë për të më marrë në ekipin e vet”.

SAMPDORIA – “Nëse nuk do të kishte qenë turneu i qytetit të Romës me Ajax dhe Borussia Monchengladbach, unë do të isha bërë lojtar i Sampdoria një javë më pas. Trajneri nuk më pa mirë, por ky turne ndryshoi gjithçka. Fatmirësisht, kam qëndruar te Roma, e cila e dinte se ku mund të shkoja më vonë”.

LAMTUMIRA – “Duket sikur e gjithë kjo kohë nuk ka kaluar. Atë ditë u përmblodh e gjithë dashuria ime për Romën. Mbaj mend gjithçka, kam shpresuar se fundi nuk do të vinte kurrë. Ishte dita më e bukur dhe më e keqe në të njëjtën kohë. Unë pushova së luajturi, por mora shumë dashuri.

Nuk mendoja se mund të qaja ashtu, nuk mund t’i duroja emocionet. Për mua fusha ishte gjithçka, e dija se çfarë mund të jepja dhe bëra gjithçka për t’i lumturuar tifozët e Romës. Unë e di se çfarë do të thotë të jesh romak dhe romanist”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Perlat” e ish-kapitenit të Romës

Totti magjik, 10 golat më të bukur të legjendës