MENU
klinika

Intervista

Njeriu pas strategjisë kontraverse suedeze: Mbyllja e kufijve, qesharake

22.04.2020 - 08:35

Ndërsa shumica e Evropës vendosi kufizime të mëdha në jetën publike muajin e kaluar për të frenuar përhapjen e koronavirusit, një vend dalloi nga të tjerët.

Suedia nuk hyri në bllokim total ose nuk imponoi politika të rrepta distancimi social. Përkundrazi, ajo ndërmori masa vullnetare, duke i besuar ndërgjegjes qytetare: këshilloi të moshuarit të shmangin kontaktin shoqëror dhe rekomandoi që njerëzit të punojnë nga shtëpia; të tjerët të lajnë duart rregullisht dhe të shmangin udhëtimet jo thelbësore.

Por kufijtë dhe shkollat për fëmijët nën 16 vjeç mbeten të hapura – siç bëjnë shumë biznese, përfshirë restorante dhe bare.

Kjo qasje ndezi kritika të forta. Midis tyre janë 22 shkencëtarë të profilit të lartë të cilët javën e kaluar shkruajtën në gazetën suedeze “Dagens Nyheter” se autoritetet e shëndetit publik kishin dështuar, ndërsa u kërkuan politikanëve të ndërmerrnin masa më të rrepta.

Ata tregojnë për numrin e lartë të vdekjeve nga koronavirusi në shtëpitë e kujdesit për pleq dhe shkallën e përgjithshme të fatalitetit të Suedisë, e cila është më e lartë se ajo e fqinjëve të tjerë mordikë – 131 vdekje që 1 për milion banorë, krahasuar me 55 vdekje për 1 milion banorë në Danimarkë dhe 14 vdekje për 1 milion në Finlandë, vende që kanë miratuar masat e bllokimit.

Arkitekti i strategjisë suedeze është Anders Tegnell, epidemiolog në Agjencinë e Shëndetit Publik të Suedisë, një organ i pavarur rekomandimet e të cilit ndjek qeveria. Tegnell foli me revistën “Nature”, në një intervistë që Gazeta “Si” po jua sjell më poshtë.

A mund të shpjegoni qasjen e Suedisë për kontrollin e koronavirusit?

“Unë mendoj se është mbivlerësuar pak kjo qasje që është quajtur unike. Si në shumë vende të tjera, ne kemi për qëllim të ulim kurbën, duke ngadalësuar përhapjen sa më shumë që të jetë e mundur – përndryshe sistemi i kujdesit shëndetësor dhe shoqëria janë në rrezik kolapsi.

Kjo nuk është një sëmundje që mund të ndalet ose zhduket, të paktën deri sa të prodhohet një vaksinë. Ne duhet të gjejmë zgjidhje afatgjata që mbajnë shpërndarjen e infeksioneve në një nivel të mirë. Ajo që secili vend po mundohet të bëjë është t’i mbajë njerëzit larg, duke përdorur masat që kemi dhe traditat që ne duhet t’i zbatojmë ato masa. Kjo është arsyeja pse ne përfunduam të bënim gjëra pak më ndryshe.

Ligjet suedeze për sëmundjet ngjitëse kryesisht bazohen në masa vullnetare – në përgjegjësinë individuale. Në mënyrë të qartë thuhet se qytetari ka përgjegjësi të mos përhapë një sëmundje. Kjo është thelbi nga i cili kemi filluar, sepse nuk ka shumë mundësi ligjore për të mbyllur qytetet në Suedi duke përdorur ligjet aktuale. Karantina mund të konsiderohet për njerëz ose zona të vogla, të tilla si një shkollë ose një hotel. Por [legalisht] ne nuk mund të mbyllim një zonë gjeografike”.

Në çfarë provash u bazua kjo qasje?

“Është e vështirë të flasim për bazën shkencore të një strategjie me këto lloje sëmundjesh, sepse ne nuk dimë shumë për të dhe po mësojmë ashtu siç po bëjnë të gjithë, dita-ditës. Mbyllja, izolimi, karantina, mbyllja e kufijve – asgjë nuk ka një bazë shkencore historike, sipas mendimit tim. Ne kemi ndjekur me vëmendje disa vende të Bashkimit Evropian nëse do të publikonin ndonjë analizë mbi efektet e këtyre masave përpara se të fillonin, por nuk pamë pothuajse asnjë analizë të tillë.

Mbyllja e kufijve, për mendimin tim, është qesharake, sepse Covid-19 është në çdo vend evropian tani. Kemi më shumë shqetësime për lëvizjet brenda Suedisë.

Ne si shoqëri, i nxisim njerëzit duke i kujtuar të përdorin masat mbrojtëse; i përmirësojmë masat atje ku shohim dita ditës se ato duhen rregulluar. Nuk kemi nevojë të mbyllim gjithçka plotësisht sepse do të ishte kundërproduktive”.

Si i merr vendimet Agjencia Suedeze e Shëndetit Publik?

“Rreth 15 persona nga Agjencia takohen çdo mëngjes dhe azhurnojnë vendimet dhe rekomandimet sipas mbledhjes dhe analizës së të dhënave. Ne bisedojmë me autoritetet rajonale dy herë në javë.

Debati i madh me të cilin po përballemi tani është rreth shtëpive të kujdesit për të moshuarit, ku kemi regjistruar shpërthime shumë fatale të koronavirusit. Kjo përbën nivelin më të lartë të vdekjeve të Suedisë, krahasuar me fqinjët tanë. Hetimet janë duke vazhduar, sepse duhet të kuptojmë se cilat rekomandime nuk janë ndjekur dhe pse”.

Qasja juaj është kritikuar si shumë e relaksuar. Si u përgjigjeni këtyre kritikave? A mendoni se rrezikon jetën e njerëzve më shumë se ç’duhet?

“Nuk besoj se ekziston ai rrezik. Agjencia e Shëndetit Publik ka nxjerrë një modelim të detajuar të bazuar mbi të dhënat rajon pas rajoni, i cili vjen në përfundime shumë më pak pesimiste sesa studiuesit e tjerë për sa u përket shtrimeve në spital dhe vdekjeve për mijëra infeksione. Ka pasur një rritje, por nuk është traumatike deri më tani. Sigurisht, ne po kalojmë në një fazë të epidemisë ku do të shohim shumë më tepër raste gjatë javëve të ardhshme – me më shumë njerëz në njësi të kujdesit intensiv – por kjo është ashtu si në çdo vend tjetër. Askund në Evropë nuk është arritur të ngadalësohet përhapja në mënyrë të konsiderueshme.

Rreth shkollave, kam besim se ato do të qëndrojnë të hapura në nivel kombëtar. Ne jemi në mes të epidemisë dhe, sipas mendimit tim, shkenca tregon se mbyllja e shkollave në këtë fazë nuk ka kuptim. Shkollat duhen mbyllur shumë herët në një rast epidemie për të marrë ndonjë efekt. Në Stokholm, i cili ka shumicën e rasteve të Suedisë, ne tani jemi afër majës së kurbës, kështu që mbyllja e shkollave është e pakuptimtë në këtë fazë. Për më tepër, është e dobishme për shëndetin psikiatrik dhe fizik që brezi i ri të mbetet aktiv”.

Studiuesit kanë kritikuar Agjencinë për mosnjohjen e plotë të rolit të bartësve asimptomatikë. A mendoni se bartësit asimptomatikë janë problem?

“Ekziston mundësia që asimptomatikët të jenë infektues dhe disa studime të fundit e tregojnë këtë. Por sasia e përhapjes është ndoshta mjaft e vogël në krahasim me njerëzit që shfaqin simptoma. Në shpërndarjen normale të kurbës, asimptomatikët gjenden në kufijtë e saj, ndërsa shumica e kurbës është e zënë nga simptomatikë. Dhe janë ata që me të vërtetë duhet të ndalojmë”.

A mendoni se qasja ka qenë e suksesshme?

“Është shumë e vështirë të dihet; është shumë herët, vërtet. Çdo vend duhet të arrijë “imunitetin e tufës” [kur një pjesë e madhe e popullsisë është imune ndaj një infeksioni, duke kufizuar kryesisht përhapjen te njerëzit që nuk janë imunë] në një mënyrë ose një tjetër, dhe ne do ta arrijmë atë në një mënyrë tjetër.

Ka mjaftueshëm sinjale që na tregojnë se mund ta arrijmë imunitetin e tufës. Shumë pak raste të riinfektimit janë raportuar globalisht deri më tani. Sa do të zgjasë “imuniteti i tufës”, nuk e dimë, por patjetër që ka një përgjigje imune”.

Çfarë do të kishit bërë ndryshe?

“Ne i nënvlerësuam rastet në shtëpitë e përkujdesjes e të moshuarve dhe mënyrën se si zbatoheshin masat atje. Duhet ta kishim kontrolluar këtë më hollësisht. Në të kundërt, sistemi shëndetësor, i cili është nën presion të pazakontë, megjithatë ka qenë gjithmonë përpara kurbës”.

A jeni i kënaqur me strategjinë?

“Po! Ne e dimë që Covid-19 është jashtëzakonisht i rrezikshëm për njerëzit e moshuar, gjë që natyrisht është e keqe. Por, duke parë pandemitë, ka skenarë shumë më të këqij se ky. Shumica e problemeve që kemi tani nuk janë për shkak të sëmundjes, por për shkak të masave që në disa mjedise nuk janë zbatuar siç duhet: vdekjet midis njerëzve të moshuar janë një problem i madh dhe ne po luftojmë shumë.

Për më tepër, ne kemi të dhëna që tregojnë se epidemia e gripit dhe norovirusi i dimrit ka rënë vazhdimisht këtë vit, që do të thotë se distancimi ynë shoqëror dhe larja e duarve po funksionojnë. Dhe me ndihmën e Google, kemi parë që lëvizjet e suedezëve kanë rënë ndjeshëm. Strategjia jonë mbi vullnetin e njerëzve ka pasur një efekt real”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Njerëz, pandemia do ftohtësi!

Është koha të bëhemi paksa… “suedezë”

Tjetër qëndrim ndaj përhapjes së Covid-19

Suedia shkon e vetme në luftën kundër koronavirusit


“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!