Punonjës të fasonëve në Vlorë e Shkodër protestuan për mosdhënien e pagës së luftës, ndërkohë që thonë se kanë më shumë se 1 muaj pa punë. Në Durrës e Berat, tregtarët kërkuan hapjen e tregjeve industriale duke rritur masat e sigurisë.
Nga 300 punonjës të një fasonerie në Vlorë, vetëm 30 kanë përfituar pagën e luftës. Ndaj këtë të enjte, ata dolën në protestë.
Kërkuan zgjidhje pasi thonë se prej më shumë se një muaj janë pa punë, ndërsa përfaqësuesit e firmës janë ankuar tek tatimet.
Të njëjtin shqetësim kishin edhe disa fasonë në Shkodër. Ndërkohë në Durrës e Berat në protestë dolën tregtarët.
Edhe ata kërkojnë pagën e luftës ose mbështetjen e qeverisë në këto ditë të vështira. Në rast të kundërt, tregtarët e Durrësit kërkuan rihapjen e tregut industrial duke vendosur tunele dezinfektimi.
Tregtarët dhe fasonët në vazhdimësi kanë protestuar për problematika me pagesën e luftës dhe mungesën e mbështetjes.