MENU
klinika

Ja 3 mënyra

Qëndroni aktivë edhe gjatë izolimit në shtëpi

13.04.2020 - 17:04

Si të jemi aktivë në shtëpi?

Ja 3 këshilla të rëndësishme në këtë drejtim

Reduktoni kohën gjatë së cilës qëndroni ulur

Është mjaft e rëndësishme të evitoni të qenit pasivë sidomos gjatë kësaj periudhe kur lëvizjet jashtë shtëpisë janë të kufizuara.
Pra, bëni vazhdimisht “pushime të shkurtra” prej 3-5 minutash çdo 20-30 minuta të cilat i shpenzoni duke punuar, studiuar, lexuar apo duke përdorur mediat sociale. Këto periudha “pushimi” në fakt konsistojnë qoftë edhe në një ecje nëpër shtëpi apo në kopsht, ngjitjen apo zbritjen e shkallëve ose edhe në aktivitet fizik të mirëfilltë.

Caktoni çdo ditë kohën për kryerjen e aktivitetit fizik
Duke planifikuar kryerjen e aktivitetit fizik qoftë nëpërmjet ushtrimeve të menduara vetë, duke ndjekur video në internet apo edhe duke u organizuar me miqtë ose kolegët e punës, do t’ju ndihmojë ta bëni aktivitetin fizik pjesë e një rutine të përditshme të pashmangshme. Gjithashtu organzimi i aktiviteteve ditore ju ndihmon që ta kaloni sa më këndshëm kohën gjatë së cilës jeni të detyruar të qëndroni mbylur në shtëpi.

Bëhuni aktiv së bashku me familjen
Angazhoni çdo pjesëtar të familjes për kryerjen e aktivitetit fizik së bashku, por secili në mënyrën e vet, pra, gjithsecili të zgjedhë ushtrimet që i përshtaten sipas dëshirës dhe mundësisë. Kjo jo vetëm do t’ju ndihmojë të jeni aktivë dhe të motivoni njërin-tjetrin vazhdimisht, por gjithashtu të kaloni kohë cilësore së bashku.