MENU
klinika

"Njerëzit duhet të mësohen"

Rama: Do të jetë një realitet i ri pas COVID-19

27.04.2020 - 20:31

Kryeministri Edi Rama tha në një lidhje me “Skype” në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se njerëzit duhet të mësohen me një realitet të ri, pasi situata pas koronavirusit nuk do të jetë si para këtij virusi.

“Ne duhet të na bëhet e zakonshme të sillemi në mënyrë të jashtëzakonshme, të mësohemi me një sërë ritualesh të reja, sepse në të kundërt do të duhet të përballemi me pasoja të tmerrshme. Do të jetë një realitet i ri, i ndryshëm nga ai që kishim”, tha Rama.

Më tej, kryeministri u ndal te masat dhe lehtësimi i tyre, duke paralajmëruar sërish kufizime, nëse do të rritet numri i të infektuarve.

“Nëse do të ketë sërish numër të lartë infektimesh, do duhet të kthehemi mpbrapsht. Gjithçka në këtë situatë është relative dhe përtej asaj që duket ka mundësira të ndryshme për të parë. Gjërat mund të marrin rrjedha të ndryshme, në varësi se si do të sillen njerëzit. Do të kemi virusin mes nesh dhe nuk do të kemi normalitet, por do të hyjmë në një fazë, ku do të kemi një lloj normaliteti të ri me një numër të caktuar kufizimesh”, u shpreh kryeministri.