MENU
klinika

Lehtësimi i masave shtrënguese

Rama: Nga java e ardhshme lëvizje me pikatore, vetëm nëse…

01.04.2020 - 19:38

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria po detajon një plan për të lehtësuar masat shtrënguese ndaj koronavirusit.

Rama tha gjatë një komunikimi me ndjekësit në Facebook, se plani do të implementohet sapo të shihet rënia e kurbës së rasteve të reja me koronavirus në Shqipëri. Megjithatë Rama shtoi se pandemia është e paqartë sa do të zgjasë.

“Masat shtrënguese na kanë ndihmuar jashtëzakonisht në uljen e agresivitetit të armikut, që na ka dëmtuar më pak se sa parashikimet tona. Krahasojeni me katastrofën që mund të gjendeshim nëse s’do kishim marrë masat. Jo vetëm do ishim duke numëruar mbi 100 të vdekur tani që flasim, por do përjetonim tmerrin e mijëra të vdekurve deri në fund të luftës. Kjo nuk do të thotë që katastrofa është shmangur përfundimisht e mos o zot të lëshoni veten tani kur lufta nuk ka shkuar ende në gjysmë.

E di që s’është e lehtë të vazhdojmë kështu, por nuk kemi asnjë rrugë tjetër. S’dua të entuziasmoj askënd para kohe, por dua t’ju informoj se po detajojmë për lehtësim gradual të masave që do hyjnë në zbatim menjëherë sapo të shohim fillimin e rënies së kurbës. Nuk e dimë se kur, por dimë që deri në mes të prillit do mësojmë shumë mbi sa thellë është shtrirë ky armik i padukshëm mes nesh. Po studiojmë disa lehtësime të lëvizjes që i kemi gati me ndihmën e zotit, duke filluar me pikatore nga java e ardhshme, po qe se, numrat deri të dielën, do na lejojnë ta marrim në konsideratë pikatoren”, tha Rama.

Gjithashtu Rama foli edhe për familjet që marrin ndihmë, bonusin e mjekëve apo regjistrimin e bizneseve të mbyllur online, ku përfshihen dhe taksitë.

“Nëse e ke mbyllur biznesin, je i lutur të aplikosh te faqja online ku deri sot 1852 persona aplikuan. Në këtë paketë përfshihen edhe shoferët e taksive. Është gati për lëvrim edhe dyfishi i ndihmës ekonomike. Do të japim mjetet e ekzistencës për këtë kategori. Të gjithë do të marrin në dorë çdo qindarkë paratë e premtuara. Pavarësisht presonit, bujqësia nuk është ndalur së prodhuari dhe të dhënat e doganave për marsin dhe 3 mujorin e parë të vitit tregojnë rritje inkurajuese.

Fatmirësisht fshati është më pas i rrezikuar se qyteti dhe me masat e marra e favorizojnë vazhdimësinë e aktivitet prodhues, grumbullues dhe shpërndarës. Çekuilibrimi i tregjeve ndërkombëtarisht mbetet problem, por e përgjithshmja është inkurajuese. Sistemi ynë shëndetësor deri tani është në gjendje shumë të qëndrueshme, ky është një lajm i mirë. Vazhdojmë me furnizimin e stokut të luftës nëse mund të vijnë ditë më të këqija. Mjekët dhe infermierët që janë në vijën e zjarrit do të marrin pagën mujore dhe 1 mijë euro bonus. Personeli mbështes, deri tek sanitarët dhe shoferët e urgjencës kombëtare do të marrin 500 euro plus pagës deri sa pacienti i fundit të lërë spitalet tona”, tha Rama.

Dosja “5D”/ Mariglen Qato edhe Redi Molla i dhanë 11 tendera kompanisë së vet!

Si ranë në pranga 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenë

Me firmën e tij ‘avulluan’ 140 milionë lekë në Fier!

Vetting/ ‘Dora e zezë’ e Ceno Klosit edhe tek Inceneratorët!