Pasojat që koronavirusi do të shkaktojë në ekonomi pritet që të rrisin varfërinë globale deri në gjysmë miliardë, sipas parashikimeve të Oxfam. Bazuar në studimet e Universitetit Kombëtar Australian (ANU) dhe Kings College, në Londër, organizata deklaron se kjo shkallë varfërie do të jetë më e larta që është arritur ndonjëherë në 30 vite, duke parashikuar një rritje me 400-600 milion individë në nivel global.
“Kriza ekonomike potencialisht do të jetë edhe më e rëndë sesa kriza shëndetësore që po shkakton Covid-19” shkruhej në raport.
Ky raport, vjen përpara takimeve kryesore të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ministrave të financave të G20 javën e ardhshme. Ndër të tjera në raport theksohet se ndikimi i virusit paraqet një sfidë të vërtetë për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, dhe qëllimit për t’i dhënë fund varfërisë deri në vitin 2030.
Varfëria pritet të rritet me 40% në Azinë Lindore dhe Paqësorin, me rreth një të tretën në Afrikën Nën-Sahariane dhe Azinë e Jugut.
Danny Sriskandarajah, shefi ekzekutiv i Oxfam, tha:
“Për miliarda punëtorë në vendet e varfra që ishin duke u përballur me sfidat që sjell varfëria, nuk ka paketa sociale që i siguron atyre asistencë sociale për të sëmurët apo ndihmë nga qeveria. Pikërisht për këtë arsye takimi mes përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe atyre të G20 janë mundësi e rëndësishme për liderët botërorë që të bashkëpunojnë në një paketë të përbashkët shpëtimi ekonomik për të mbrojtur njerëzit më të rrezikuar.”
Në fillim të kësaj jave, më shumë se 100 organizata globale kërkuan që pagesa e borxheve të falet këtë vit për vendet në zhvillim, të cilat do t’i kursenin atyre një shumë rreth 25 miliardë dollarësh.