MENU
klinika

Ekonomia dhe norma e vdekshmërisë

Si strategjia kontroverse ndaj Covid-19 në Suedi po provon të jetë efektive

20.04.2020 - 13:37

Qasja jo e zakonshme e luftës ndaj koronavirusit në Suedi po nis të japë rezultate sipas epidemiologëve më të mirë të vendit. Anders Tegnell, arkitekti i planit me masa të relaksuara ndaj koronavirusit shprehet për mediat lokale se të dhënat e fundit të të infektuarëve dhe të fataliteteve tregojnë se situata po nis të stabilizohet. Suedia ndryshe nga shumë vende të tjera ka vendosur të mos i mbyllë shkollat, palestrat, kafenetë, dhe restorantet gjatë kohës së pandemisë.

Por krahas kësaj, qeveria i ka nxitur qytetarët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të ndjekin udhëzimet e distancimit social. Përhapja e koronavirusit rreth botës po nxit përgjigje të ndryshme në vende të ndryshme teksa autoritetet shtetërore bëjnë të pamundurën për të përmbajtur pandeminë.

Është e paqartë se cila strategji do të provojë të jetë më efektivja madje dhe ekspertët në Suedi shprehen se është herët për te dalë në konkluzione. Por duke marrë në konsideratë dëmin e madh ekonomik të shkaktuar nga masat e ashpra të karantinës qasja e ndërmarrë në Suedi ka tërhequr tepër interes në botë. Një faktor që ka kontribuar së tepërmi që Suedia të ketë këto lloj masash të lehta është sistemi tepër i mirë shëndetësor që ky vend ka. Në asnjë çast Suedia nuk ndjeu mungesë të pajisjeve mjekësore, kapaciteteve spitalore.

Madje tendat emergjencë që planifikoheshin të përdoreshin nëse do të kishte numër të lartë të pacientëve e që spitalet nuk do t’i përballonin dot, nuk u përdorën kurrë.

Norma e vdekshmërisë

Deri më sot Suedia ka raportuar 1540 vdekje nga koronavirusi. Kjo shifër është më shumë se në vendet e tjera skandinave por shumë më pak se në Itali, Spanjë, dhe Angli si në vlera absolute apo relative. Tegnell nuk është zyrtari i vetëm në vend që mendon se Suedia e ka kaluar tashmë më të keqen.

“Trendi që kemi parë gjatë ditëve të fundit me kurbën e të infektuarëve që po nis të bie si rezultat i numrit në rënie të të infektuarëve të rinj çdo ditë tregon se situata po stabilizohet”, shprehet Karin Tegmark Wisell drejtuesi i departamentit të mikrobiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik të Suedisë.

Veçse dy javë më parë situata shihej me sy shumë pesimist pasi vdekjet rezultonin të ishin të shumta. Në veçanti u vu re dështimi i qeverisë për të mbrojtur të moshuarit në azilet e tyre pasi përqindja e vdekshmërisë së tyre ishte tepër e lartë krahasuar me vendet fqinje.

“Mbrotja ndaj të moshuarve duhej që të kishte qënë më e mirë”, shprehet kryeministri Stefan Lofven. “Ne duhet t’a shohim më nga afër situatën në mënyrë që të kuptojmë se çfarë s’ka funksionuar”, shton ai

Sidoqoftë strategjia e Lofven-it ka fituar aprovim në Suedi dhe popullariteti i tij ka pësuar rritje të madhe.

Ekonomia

Strategjia e Suedisë ndaj Covid-19 po rezulton në kontraktimin më të vogël ekonomik krahasuar me gjithë vendet e tjera të europës, sipas ekonomistit të HSBC-së James Pomery. Pomeroy tregon për disa karakteristika të popullsisë suedeze që mendon se e kanë ndihmuar vendin në përballimin me krizën. Më shumë se gjysma e shtëpive Suedeze janë me një anëtar duke e bërë kështu distancimin social të lehtë për t’u aplikuar. Më shumë njerëz punojnë nga shtëpia në këtë vend krahasuar me gjithë shtetet e tjera të Europës si dhe çdokush ka internet të shpejtë gjë që e ndihmon shumicën dërrmuese të qëndrojë produktive dhe larg zyrave.

Teksa shumë vende kanë prezantuar ligje strikte duke përfshirë këtu dhe gjoba të majme për ata që kapen duke thyer distancimin social, suedezët duket se po i ndjekin këto udhëzime pa nevojën e ndryshimeve në legjislacion. Udhëtimet nga Stockholm-i në Gotland (një destinacion popullor për pushime) ka rënë me 96% gjatë fundjavës së Pashkëve, sipas të dhënave nga operatori më i madh në vend telefonik. Gjithashtu të dhënat nga firma e shërbimeve online Citymapper tregojnë se lëvizja e qytetarëve ka rënë me 75% në kryeqytet.

Suedia ndërkohë e ka mohuar nocionin se ka shumë pak distancim social në vendin e saj.

“Ne nuk kemi ndonjë pikëpamje radikale”, shprehet Ministri i Marrdhënieve të Jashtme Ann Linde në një intervistë me Radio Suedinë.

“Qeveria ka marrë një seri vendimesh që po ndikojnë të tërë shoqërinë tonë. Është një mit se jeta vazhdon normalisht në Suedi”./ Bloomberg

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!