Një ditë pas plagosjes, Orges Bilbili ndodhet ende nën kujdesin mjekësor dhe nuk ka folur ende para uniformave blu.
Nga hetimet policia ka zbuluar se 30-vjeçari nga Lushnja i akuzuar për vrasje që mbeti i plagosur pasi tentoi të ngrinte armën ndaj një efektivi policie jetonte në një apartament në rrugën “Sitki Çiço” me qira prej disa muajsh. Apartamentin e ndante me një djalë tjetër i cili nuk është identifikuar ende nga policia. Ditën e djeshme, kur ndodhi ngjarja ata kanë qenë në rrugë të dy, por personi tjetër u largua në drejtim të paditur. Policia e Tiranës ushtroi kontroll në këtë banesë dhe gjeti një arme zjarri dhe një sasi të konsiderueshme parash.
Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka rindërtuar skenën e plagosjes së Orges Bilbilit dhe kalimtares.
Dëshmia e punonjësit të policisë është përputhur me pamjet e kamerave të sigurisë në zonë të cilat u sekuestruan. Ngjarja u shënua në orën 11:35 ku efektivi i “Shqiponjave” iu afrua Orges Bilbilit i cili ishte duke lëvizur më këmbë në brendësi të lagjes në rrugën “Sitki Çiço” ndërsa kolegu i tij ishte duke kontrolluar lulishten para Maternitetit të Ri. Në brendësi të lagjes punonjësi i Shqiponjave konstatoi Orges Bilbilin së bashku me një person tjetër dhe u afrua për të komunikuar me ta, për të mësuar arsyen e daljes dhe për t’i identifikuar por Bilbili e kundërshtoi dhe iku me vrap.
Polici fillon ta ndjekë dhe në momentin kur ishin para shkollës “Niket Dardani” Orges Bilbili në ecje e sipër nxori pistoletën nga çanta marsup, por pistoleta iu rrëzua në tokë. Në këto momente punonjësi i policisë qëlloi në ajër për ta paralajmëruar.
Bilbili mori pistoletën nga toka dhe ia drejtoi policit. Ky i fundit hapi zjarr në drejtim të Bilbilit dhe e plagosi. Nga 3 të shtënat në drejtim të Bilbilit një prej plumbave ka kapur edhe 30-vjeçaren me iniciale M. P. e cila po kalonte rastësisht aty.
Kush është Orges Bilbili?
30-vjeçari nga Lushnja Orges Bilbili ka arritur t’u shpëtojë 14 operacioneve policore që janë ndërmarrë për arrestimin e tij. Ai akuzohet për një vrasje të dyfishtë dhe ishte në listën e personave të kërkuar nga Policia shqiptare i dënuar në mungesë me 7.4 vjet heqje lirie.
Bilbili akuzohet për vrasjen në vitin 2017 të shtetasve Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, të cilët njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurtit).
Ky i fundit mbeti i plagosur me 25 shtator të vitit 2016 së bashku me shokun e tij Saimo Xheliu, 25 vjeç në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja e djeshme.
Për ngjarjen e vitit 2016, ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xheliu nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu 25 vjeç. Ky i fundit dyshohet se bashkë me Orges Bilbilin kanë vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009.
Ndërkohë nga Policia e Qarkut Fier u pohua se për ngritjen e akuzës ndaj tij ka ndihmuar e ëma e viktimes e cila njohu 20-vjecarin Bilbili si vrasësin e të birit.
Orges Bilbili është dënuar me 7. 4 vjet burgim për trafikim lëndësh narkotike dhe është shpallur nga policia person në kërkim si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato për drogën e Divjakës.