Shahu është një sport ku zakonisht kundërshtarin e ke përballë dhe nga ai të ndan vetëm një tavolinë pak më e madhe se tabela me katrorë bardh e zi. Por një sfidë interesante mund të zhvillohet edhe në distancë për shkak të përhapjes në masë koronavirusit.
Unioni Europian i Shahut mendoi që organizojë kampionatin e parë online në faqen www.chess.com nga 16 deri më 31 maj. Çdo shahist i anëtarësuar në federatat kombëtare mund të marrë pjesë duke paguar një tarifë prej 5 euro, ndërsa pa pagesë do të jenë mjeshtrat e mëdhenj. Lojtarët do të ndahen në disa grupe në bazë të nivelit të tyre.
Eventi do të luhet në 5 kategori vlerësimi, sipas listës së FIDE, federatës botërore e Shahut, që ka shpallur pikët në muajin prill në rang individual. Në grupin A, do të jenë ata që kanë nga 1000 pikë deri në 1400 e kështu me radhë deri në grupin E, ata që kanë mbi 2300 pikë dhe natyrisht janë më të mirët.
Nga Shqipëria janë 6 mjeshtëra shahu që e plotësojnë kriterin e fundit, që kanë mbi 2300 pikë. Pjesëmarrja mund të bëhet edhe përmes federatës së vendit përkatës, e cila certifikon shahistin. Regjistrimet për secilën kategori vlerësimi mund të bëhen deri në dy ditë para fillimit të grupit përkatës të kualifikimit, në orën 17:00.
Sistemi i lojës do të jetë ai Zviceran për të gjitha grupet. Turneu do të luhet me kontrollin e kohës: 10 min + 2 sekonda rritje të bonusit dhe sistemi i çiftimit do të jetë me Algoritmin e FIDE-s. Natyrisht, përveç kënaqësisë së lojës së dashur, do të përfitohen edhe shpëblime financiare në bazë të renditjes.