MENU
klinika

Fqinjët: S’mundëm t’i hidhnim një grusht dhé

Vdiq në karantinë, 60-vjeçari përcillet në banesën e fundit

27.04.2020 - 14:41

Një 60-vjeçar nga fshati Dyshnik i Beratit, gjeti vdekjen në orët e para të së shtunës në ambientet e karantinës në qytetin e Durrësit, ku ishte vendosur së bashku me bashkëshorten për të kryer procedurat e izolimit të detyruar 14-ditor, pas mbërritjes së tij nga Italia.

Barjam Luzi mësohet se kishte rreth 3 vite që kishte shkuar në Itali me gruan dhe qëndronin tek njëri nga djemtë, pasi ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe kurohej në shtetin fqinj.

Ditën e premte, ai ka mbërritur rreth orës 16:00 në aeroportin e Rinasit dhe është dërguar në Durrës për të kryer karantinën e detyruar 14-ditore, së bashku me bashkëshorten e tij. Por gjendja e rëndë shëndetësore e Luzit, ka bërë që ai të ndërronte jetë brenda ambienteve të karantinës rreth orës 03:00 të mëngjesit të së shtunës. Trupi i pajetë i Barjam Luzit është përcjellë pranë banesës së tij në fshatin Dyshnik, ku ai është mbajtur vetëm 3 orë dhe është varrosur nën masa të rrepta sigurie, me forca të shumta policore gjatë funeralit dhe i shoqëruar vetëm nga bashkëshortja.

Kryeplaku i fshatit Dyshnik, Besnik Greku pohon se, 60-vjeçari vuante prej vitesh nga sëmundja e rëndë kancerogjene.

Edhe komshinjtë e viktimës pohojnë se Barjami kishte ikur vitet e fundit në Itali, ku edhe trajtohej. Ata shprehën ndër të tjera edhe keqardhje për faktin se nuk mundën dot t’i hidhnin një grusht “dhe”, siç edhe e ka zakonin shqiptari në ceremonitë e varrimit, pasi ata nuk u lejuan të merrnin pjesë për shkak të masave të vendosura për frenimin e koronavirusit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN