Ministri Arben Ahemtaj i ngarkuar me detyrën e administrimit të situatës së COVID-19 u ka dërguar një letër ministrave të ekonomisë të vendeve të Bashkimit Europian, që të prodhojnë veshjet profesionale të mjekëve, ushtrisë, e policisë te fasoneria shqiptare.
Me anë të një letre që mban datën 7 prill, por publikua sot, Ahmetaj u kërkon që të shohin mundësinë e bashkëpunimit, për shkak se biznesi fason në Shqipëri ka pasur dëme ekonomike për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Ky bashkëpunim, sipas Ahmetaj, do të ishte shumë i vlefshëm për të dyja palët, si për vendet europiane që i furnizon me këto pajisje në një kohë kur ka shumë nevojë, por edhe u jep një frymëmarrje jetike bizneseve shqiptare.
“Në vazhdën e nismave për mbështetjen e sektorëve të ekonomisë të afektuar si pasojë e COVID-19, i jam drejtuar me një letër zyrtare Ministrave të Ekonomisë të vendeve të rajonit e BE, për të konsideruar mundësinë e bashkëpunimit me kompanitë fason në Shqipëri, për prodhimin e veshjeve të specializuara në mjekësi dhe uniformave të policisë e ushtrisë.
Kompanitë shqiptare të fasonit, në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë përshtatur ciklin e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekët, policinë, ushtrinë dhe gjithë forcat që sot luftojnë në vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm.
Bashkëpunimi me vendet partnere, nga njëra anë i jep një frymëmarrje jetike sektorit duke mundësuar vijimin e aktivitetit, dhe nga ana tjetër furnizon nevojat e shteteve që në këtë periudhë shkojnë përtej kapaciteteve të tyre.
Jam i bindur në angazhimin e fqinjëve dhe partnerëve tanë për ta kthyer këtë në një korsi bashkëpunimi dhe përfitimi reciprok, sepse si çdo luftë, edhe këtë mund ta fitojmë vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë!”, shkruan Ahmetaj.