MENU
klinika

Momenti historik

30 vjet më parë Boban nisi prishjen e Jugosllavisë

28.05.2020 - 21:30

Një histori e vërtetë, që shumë të rinj sot do t’u dukej habi, por 30 vjet më parë ishin kohë trazirash në Jugosllavi (gjashtë republika, pesë kombësi, katër gjuhë, tre rajone dhe dy alfabete). Presidenti serb, Slobodan Millosheviç, synonte të mbante stabilitetin nën kontrollin serb, por situata po përkeqësohej përditë.

Vetë Milosheviç hyri në një zonë të ndezur. Ndodhi në përkujtim të 600-vjetorit të humbjes serbe kundër turqve, në Polje të Kosovës. Atje, para një milion të pranishmëve, në një datë të shenjtë për serbët, mbajti një fjalim të zjarrtë ekzaltimi për Serbinë e Madhe, që i zemëroi pakicat.

Më 13 maj 1990, ishte radha e Crvena Zvezda-s të Beogradit për të vizituar Dinamon e Zagrebit. “Ylli i Kuq” ishte klubi i supremacizmit serb. Nga ana e saj, Dinamo e Zagrebit integroi në ideologjinë e saj aspiratat nacionaliste të Kroacisë, të cilat ishin përkeqësuar si kurrë më parë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Antagonizmi i vjetër sportiv kishte degjeneruar në armiqësi radikale politike. Për të komplikuar më tej çështjet, ditë më parë, një ish-gjeneral i quajtur Franjo Tuxhman fitoi zgjedhjet për qeverinë autonome kroate, në emër të ultranacionalizmit më të suksesshëm kroat.

Tuxhman kishte qenë komunist, por me kalimin e viteve rrëshqiti drejt separatizmit. Ai lartësoi pasionet e një popullate, që nuk donte vartësinë nga ish-Jugosllavia. Së bashku me sllovenët, kroatët ishin më të pasurit dhe më të zhvilluarit në rajon.

Dy klubet kishin grupet e tyre të mëdhenj të ultrasve; jashtëzakonisht të dhunshëm. Ata të Dinamos e quajtën veten “Bad Blue Boys” (BBB) dhe kishin mbështetur Tuxhman në fushatë, duke u bërë shtylla sociale e pavarësisë kroate. Ata të Beogradit ishin grupuar nën emrin “Delije”, në shqip “Heronjtë”.

Në krye të tyre ishte një djalë mëkatar, Zelko Raznatovic, ose i njohur ndryshe si Arkani. Ai nuk e njihte frikën nga asgjë, për shkak se gëzonte miqësinë dhe mbrojtjen e Stane Dolanc, kreut të Policisë Sekrete, një ish-mik i babait të tij. Që në moshën 20- vjeçare ai udhëtoi nëpër Europë me misione spiunazhi për Dolanc, duke lënë gjurmë luftimesh dhe krimesh.

Arkani u arrestua në Belgjikë, Holandë, Gjermani, Suedi, Zvicër, Austri dhe Itali, por iu shpëtoi dënimeve të ndryshme, përfshirë burgun e sigurisë së lartë “Scheveningen”, pranë Hagës. Ai ishte një nga dhjetë kriminelët më të kërkuar nga Interpol.

Me Arkanin në krye, tre mijë “Delije” zbarkuan në Zagreb plot zemërim, të pajisur edhe me armë. Thirrja e tyre ishte “do të ketë gjak sonte”! Ata zbritën nga treni duke kënduar: “Ne kemi ardhur për të vrarë Tuxhmam” dhe “Zagrebi është Serbi”.

Në atë kohë, 12% e popullsisë kroate, me origjinë serbe, ndihej e ngacmuar dhe “Delije” udhëtonte atje me dëshirën për t’u dhënë mësim kroatëve. Kishte incidente gjatë gjithë ditës në qytet. Popullsia e Zagrebit zbuloi se policia ishte shumë e butë me “Delije” dhe e ashpër me “BBB”.

Guerrilët nga të dyja palët hynë të ngarkuar me gurë në stadiumin “Maksimir”. Policia ishte e mbingarkuar në përpjekjen e saj për të ndaluar trazirat. Lojtarët e të dyja skuadrave mezi u futën në fushë për nxemjen. “Delije” shkatërruan reklamat që mbanin fjalën “Kroaci”, dogjën amujt kroatë dhe thyen ndarjen prej dërrase me publikun më të afërt në stadium, kundër të cilit nisën sulmet dhe rrahjen.

Stolat fluturuan sipër kokave të tifozëve. Në anën tjetër, “BBB” iu besuan grushtave të tyre, duke parë që policia nuk ndërhynte përballë këtyre egërsive. Tifozët vendas u përpoqën të futeshin edhe në fushë, gjë që u parandalua. Më në fund, presioni i tyre ishte i pakontrollueshëm dhe thyen kordonin e policisë, duke sulmuar “Delije”.

Lojtarët e Crvena Zvezda-s (përfshirë Prosinecki, me origjinë kroate), u futën në mënyrë diskrete në tunel. Shumica e njerëzve të Dinamos qëndruan, duke kërkuar që agjentët policorë të shtypnin ultrasit serbë. Në këtë rrëmujë, Zvonimir Boban, i cili atëherë ishte 21 vjeç, pa se si një anëtar i “BBB” u vu përposhtë nga policia dhe filloi ta rrihte plot “zjarr”.

Ai shkoi atje dhe i dha një goditje “fluturuese” njërit prej tyre, duke e shembur përtokë, në kokërr të shpinës. Televizionet dhe fotografët e kapën me besnikëri aksionin e Boban, i cili shpejt u mbrojt nga bashkëmoshatarët dhe anëtarët e BBB. Beteja e nisur u përcoll edhe në fushë.

Erdhën përforcime policore, të pajisura me makina ujëhedhëse. Përleshja zgjati 70 minuta dhe la 117 policë, 39 “Delije” dhe 37 “BBB” të plagosur, përveç 138 personave të tjerë të arrestuar. Numri i ultrasve të arrestuar shkoi mbi 100.

Padyshim që nuk pati më asnjë minutë lojë. Skuadra serbe u evakuua me helikopter, sepse përndryshe nuk mund të ishte larguar nga fusha. Boban u bë një hero kombëtar. Fotografia e tij duke goditur policin (i cili doli të ishte një musliman boshnjak, që më vonë do ta falte) u bë ikona e luftës së Kroacisë për pavarësi.

Këto ngjarje shënuan pikën e kthimit në fërkimet politike midis Kroacisë dhe Serbisë. Boban u pezullua nëntë muaj nga Federata Jugosllave e Futbollit. Ai humbi Kupën e Botës në Itali, në të cilën, Jugosllavia eliminoi Spanjën. Ai nënshkroi për Barin një vit më vonë, pastaj shkoi në Milano, ku luajti nëntë sezone, para se të tërhiqej te Celta Vigo në moshën 35 vjeç.

Me Milanin fitoi një Champions League (finalen 4-0 kundër Barçës së Cruyff), së bashku me Savicevic, malazez, lojtar i Crvena Zvezda-s atë ditë të frikshme në Zagreb. Ai gjithmonë insistonte ta diferenconte trajtimin personal me miqtë serbë nga reagimi që e çoi në ato rrethana, një shpërthim për të cilin nuk u pendua kurrë.

“Nuk ishte e drejtë, policia ndërhyri vetëm kundër tifozëve tanë. Unë do ta bëja përsëri, po flasim për lirinë e një qyteti. Kjo vlen më shumë sesa karriera ime e futbollit” – është shprehur Boban. Një vit më vonë, Kroacia shpalli pavarësinë, të cilën e konsolidoi vetëm pas një lufte 5-vjeçare kundër Serbisë.

Një pllakatë në stadiumin “Maksimir” i kujton ato fakte. Është një stadium i vjetëruar dhe i pakëndshëm, por që mbart një histori të tillë. Gjithnjë e më shumë po itet për ta zëvendësuar me një stadium të ri, por ka hezitime për shkak të vlerës së tij të shenjtë historike.

Sa për Boban, ai studioi histori, një lëndë që aktualisht jepet si lëndë mësimi në Zagreb. Ai komenton edhe për futbollin në televizione italiane dhe kroate. Në atdheun e tij, Boban konsiderohet ende hero i pavarësisë. Vitin e kaluar ishte pjesë e kupolës drejtuese të Milanit, ndërsa tani thjesht në zemrat e dy tifozërive, të Dinamos së Zagrebit dhe Milanit…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga titujt e shumtë, te kriza e sotme

Rënia e perandorisë, si e humbi shkëlqimin Milan

Merret vendimi edhe për Piolin

Milan njofton zyrtarisht largimin e Boban