MENU
klinika

Pas largimit nga Ferrari

A do të kalojë Vettel te Mercedes?

17.05.2020 - 17:36

Formula 1 ende nuk ka zhvilluar një garë për këtë vit, por kohët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes. Largimi i 4 herë kampionit të botës Sebastian Vettel nga një ekip si Ferrari ka shkaktuar mjaft habi në gjithë ambientet e Formulës 1 dhe një vendim i tillë natyrisht është shoqëruar edhe nga komente të shumta.

Së fundmi i është bashkuar këtij kori edhe vetë drejtuesi më i lartë i skuadrës Mercedes–AMG Petronas, Toto Wolff, që deklaroi se, sipas tij, një kalim i mundshëm i 32-vjecarit nga Heppenheimi në radhët e ekipit gjerman do të përbënte një histori shumë të bukur marketing.

Bosi i ekipit Mercedes shpjegoi se Sebastian Vettel është akoma një pilot shumë i mirë në këtë sport, madje 48-vjecari austriak shtoi se, nëse do të realizohej kalimi i Sebit në radhët e skuadrës me bazë në Brackley, atëherë do të bëhej fjalë për një veprim shumë të mirë marketingu në favor të markës së famshme gjermane.

Toto Wolff nuk u kursye aspak në lëvdatat ndaj 4 herë kampionit të botës. Ai qartësoi se ekipi Mercedes është i përqëndruar te suksesi dhe Seb konsiderohet si një pilot i tillë, që është vërtet shumë i zoti. Sipas drejtuesit vjenez, Vettel është i lirë për të bërë zgjedhjen e tij, nëse kërkon të heqë dorë përfundimisht apo të zhvendoset në radhët e një skuadre tjetër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Piloti gjerman largohet nga kokëkuqja

Vettel “divorcohet”, 3 kandidatë për Ferrarin