Koktej, pra përzierja e bukur nga ndërthurja e gjenialitetit dhe delirit, piktorit të sureales dhe mitologjisë, Salvador Dali, ka pasur një jetë të shënuar nga përçudnitë që nga fillimi. Duke lindur në fakt, tre ditë pas vdekjes së vëllait të madh, babai i tij mendoi se do të ishte mirë ta thërriste me të njëjtin emër, në mënyrë që të mos e harronte kurrë djalin e madh. Një rrethanë kjo pakëz “përkeqësuese”, që ka ndikuar gjithnjë në mungesën e ekuilibrit mendor, gjendje që e ka karakterizuar gjithë jetën gjeniun.
Salvador Dali lindi në Figueras të Katalonjës, Spanjë, më 11 maj 1904. Kur ishte në moshë ende të re, ai ekspozoi disa nga punimet e tij në pikturë në sallën e teatrit bashkiak të qytetit të tij të vogël. Ekspozita e parë u prit me një vlerësim të lartë nga kritika e asaj kohe.
Jeta dhe vepra e Salvador Dalìsë, janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën. Shumë ndodhi të jetës së këtij artisti, pasqyrohen në mënyrë të drejtpërdrejt në krijimet e tij dhe numri më i madh i pikturave mund të kuptohen vetëm në bazë të ngjarjeve që kanë shënuar biografinë e tij. Dalì mori mësimin e parë te vizatimit në moshën 10 vjeçare, nën drejtimin e piktorit të famshëm impresionist Ramon Pichot (1872 – 1925), mik i babait. Gjatë këtyre leksioneve, që u zhvilluan në “Mulì de la Torre”, një mulli në pronësinë e familjes Pichot, Dalì mësoi të njohë teknikën e impresionistëve. Më vonë do të tregojë që ka qenë i influencuar fuqishëm nga vepra e Pichot, të cilat përfaqësojnë lidhjen e tij të parë me një rrymë artistike, jo akademike. Në vizatimet dhe pikturat e kësaj periudhe Dalì pikturon, përveç portreteve familjare, sidomos pejsazhet e tokës së tij Katalonjës, që do të shfaqen shumë shpesh në veprën e tij.
Një personalitet i tillë artistik, sigurisht që ka një pafundësi dritëhijesh… Por, sikur me pikturën, jeta e tij u shenjua edhe nga gruaja e vetme e jetës së tij, muzë, dashuri dhe kuptimi i jetës për artistin. Si lindi kjo marrëdhënie kaq e fortë?
Në muajt e verës të vitit 1929 artisti krijon pikturën e famshme “Loja e kobshme”, që do të skandalizojë edhe vetë miqtë surrealistë. Sjellja e Dalisë përmban momente histerie, ndërkohë që pikturat zbulojnë mankthet e tij të vërteta dhe janë të mbushura me pamje që të trondisin.
Më në fund, në Cadaques takon poetin francez Paul Eluard, të shoqëruar nga e bija dhe bashkëshortja Gala. Dalì ndihet menjëherë i tërhequr prej kësaj të fundit. Ndërkohë, histeria e tij bëhet kaq e theksuar, saqë miqtë fillojnë të shqetësohen dhe i luten Galas të kujdesej për të.
Për të qenë në qendër të vëmendjes, Dalì sillet në mënyrë akoma më të çuditshme dhe sikur të mos mjaftonte, sa herë që takonte Galan e kapte një krizë të qeshurash të pakontrollueshme. Për ta qetësuar, ajo detyrohej t’i kapte duart dhe t’i premtonte se nuk do ta linte kurrë. Shumë shpejt do të duket qartë, që Gala dhe Dalì, janë bërë të pandashëm dhe kur Eluard i jep gruas së tij, ultimatum, duke e urdhëruar të kthehej me të në Paris, Gala vendos të qëndrojë në Cadaques, me piktorin.
Gala (emri i vërtetë i të cilës është Helena Devulina Diakonoff) është dhjetë vjet më e madhe se Dalì dhe ka origjinë ruse. Eluard e ka njohur në një sanatorium zviceran në 1912 dhe martohet me të, pas katër vitesh.
Nëpërmjet të shoqit, Gala vendos lidhjet me surrealistet dhe me shumë artistë të tjerë modernë, midis tyre edhe me piktorin Max Ernst, me të cilin, në të kaluarën gruaja e lirë dhe pa paragjykime kishte pasur një histori dashurie. Gala zotëron një ndjeshmëri artistike të veçantë dhe tepër të gjallë, që vlerësohet shumë nga surrealistët. Roli i saj si këshilltare dhe muzë frymëzuese, ishte bërë i njohur nga Max Ernst në 1922, në një pikturë me titull “Takimi i miqve”, në të cilën gruaja shfaqet si i vetmi personazh që nuk ushtron një aktivitet krijues në mes te piktorëve, poetëve dhe filozofëve.
Tek Gala, Dalì gjen shoqen ideale të jetës, pa të cilën ka shumë mundësi që histeria e tij të kthehej në patologji. Ashtu siç nuk do të harrojë të nënvizojë vetë artisti nga Katalonja në shkrimet e tij, Gala nuk është për të, vetëm e dashura që kishte kohë që e priste, por është edhe një terapeute e aftë për t’i shpëtuar j etën.
Në 10 qershor 1982 ndahet nga jeta Gala. Thuhet se, kur Dalì e mori lajmin për vdekjen e saj, u përgjigj se nuk mund të ishte e vërtetë, sepse “ajo nuk do te vdesë kurrë”. Gala u varros në kështjellën e tij në Pubol dhe menjëherë një muaj më vonë, Dalisë i dorëzohet nga mbreti Juan Carlos I, titulli i markezit të Pubol.
Në fillim të 1983, gjendja shëndetësore e artistit përkeqësohet dhe si pasojë e refuzimit që ai i bën ushqimit. I fiksuar mbas idesë së të qënurit i pavdekshëm, ai në fakt, shpreson të arrijë të bie në gjendjen e letargjisë artificiale, aq sa në nj ë moment do të duhet të ushqehet tërësisht vetëm nga një sondë gastriti.
Shëndeti i tij do të përmirësohet vetëm për një kohë të shkurtër. Por, pavarësisht kujdesit që iu tregua, si pasojë e një goditje apoplektike, Dalì u shua në 23 janar 1989. Sipas dëshirës që ai kishte shprehur, trupi i tij u balsamos dhe u ekspozua për një javë në muzeun e Figueras. Më pas, ai u varros në ndërtesën e muzeut, ku një lapidar i vogël tregon varrin e tij.