MENU
klinika

Pandemia globale!

A do t’i shtrëngojmë sërish duart?

08.05.2020 - 09:51

Në të gjithë botën, njerëzit po stërmundohen të hedhin pas krahëve mijëra vite bashkëjetesë bio-sociale dhe të evitojnë prekjen e njëri tjetrit. Shtrëngimi i duarve mund të jetë një nga zakonet më të vështira për tu hequr në botën e pas pandemisë, por ka edhe alternativa.

Shtrëngimi i duarve varion nga ai mondan deri tek ai i fuqishëm; varion nga një përshëndetje e thjeshtë mes personave të panjohur që nuk do të takohen kurrë më e deri tek vulosja e marrëveshjeve miliarda dollarëshe mes titanëve të biznesit. Ka ide të ndryshme për origjinën e shtrëngimit të duarve. Mund ta ketë origjinën nga Greqia e Lashtë, si simbol paqeje mes dy njerëzve duke treguar se askush prej tyre nuk ka një armë.

Ose, gjesti i shtrëngimit të duarve mund të ketë nisur në Evropën mesjetare, kur kalorësit shtrëngonin dhe shkundnin duart si për të konfirmuar se tjetri nuk kishte ndonjë armë të fshehur. Shtrëngimi i duarve është me pak fjalë një xhest i pastër i lidhjes mes njerëzve, një simbol se si njerëzit janë zhvilluar për të qenë socialë. Dhe me një histori që daton prej mijëra vitesh, shtrëngimi i duarve është ai që me shumë vështirësi do të harrohet. Zakonet janë të ndryshme në vende të ndryshme të botës, por asnjëherë si sot, prekja fizike nuk është konsideruar kaq kritike.

Kërkimet shkencore mbi ritualin, kanë dalë madje në përfundimin se një shtrëngim i mirë duarsh, aktivizon një pjesë të trurit që proceson tipe të tjera stimujsh shpërblyes si ushqimi i mirë, pija e madje edhe seksi. Dhe tani, pasi pandemia e koronavirusit ka gjunjëzuar botën, e ardhmja e shtrëngimit të duarve, mbetet e paqartë. Dhe një botë pa shtrëngime duarsh, nuk do të jetë kurrë si ajo e mëparshmja.