MENU
klinika

Mund të ndërhyjë banka për rregullimin e tyre?

Ankesa për çmimet e vendosura nga Institucionet jobankare

23.05.2020 - 13:11

Banka e Shqipërisë merr në analizë interesat e lartë, pritet ndryshimi i rregullores.

Banka e Shqipërisë po u kushton vëmendje të veçantë çmimeve të aplikuara nga subjekte të caktuara të institucioneve financiare jobankare në vend. Banka ka ndërmarrë një proces që synon analizimin e këtij fenomeni dhe, nëse vlerësohet e arsyetueshme, adresimin e tij nëpërmjet ndërhyrjeve ligjore apo rregullative.

Ky fakt bëhet i ditur në një përgjigje zyrtare që Banka e Shqipërisë i kthen gazetës “Fjala” në lidhje me shqetësimin e ngritur nga konsumatorët për interesat e penalitetet shumë të larta që aplikojnë institucionet financiare jobankare në vend.

Në përgjigje thuhet se Banka e Shqipërisë është institucioni përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen e subjekteve financiare jo banka që ushtrojnë aktivitet në Republikën e Shqipërisë. Sipas kuadrit ligjor, Banka e Shqipërisë nuk parashikon kufizime në lidhje me çmimet për normat e interesit dhe komisionet që mund të aplikohen nga institucionet bankare ose financiare.

Përgjigjet e Bankës së Shqipërisë

Si rregullohen me ligj këto institucione?

Banka e Shqipërisë është autoriteti përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen e subjekteve financiare jo banka që ushtrojnë aktivitet në Republikën e Shqipërisë, dhe mbikëqyr veprimtarinë e tyre brenda kompetencave që i jep ligji “Për Bankën e Shqipërisë” dhe ligji “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Kush i monitoron?

Subjektet financiare jo banka të licencuara nga Banka e Shqipërisë, mbikëqyren në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet inspektimeve në vend, si dhe analizave nga jashtë, në mënyrë që veprimtaria të ushtrohet në përputhje me dispozitat e kuadrit ligjor dhe rregullator mbikëqyrës në fuqi dhe ka për objektiv vlerësimin nëse subjekti ka ndjekur standardet dhe politikat e vendosura nga Banka e Shqipërisë. Nga ekzaminimet e kryera, vlerësohet se subjektet përgjithësisht kanë plotësuar kërkesat për transparencën ndaj klientëve dhe kushtet e punës në fuqi.

Mbi cilat kritere vendosen komisionet?

Kuadri ligjor dhe rregullator në fuqi i Bankës së Shqipërisë nuk parashikon kufizime në lidhje me çmimet për normat e interesit dhe komisionet që mund të aplikohen nga institucionet bankare/financiare. Në rregulloren nr. 59, të vitit 2008 “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, të ndryshuar, Banka e Shqipërisë përcakton se subjektet duhet të hartojnë dhe miratojnë, sipas mënyrave të parashikuara në rregulloret e tyre të brendshme metodën/politikën e llogaritjes së normave të interesit dhe të komisioneve për produktet dhe shërbimet që ato ofrojnë. Metodologjitë e përdorura nga subjektet për vendosjen e nivelit të komisioneve dhe interesave, bazohen në vlerësimin e kostove për shitjen dhe mirëmbajtjen e produkteve, te studimi i tregut dhe konkurrenca në treg. Gjatë procesit të mbikëqyrjes në vend të subjekteve, Banka e Shqipërisë kryen vlerësimin e nivelit të zbatueshmërisë nga subjektet të kuadrit rregullator në fuqi, duke vlerësuar kontratat e hartuara për produktet dhe shërbimet që ofron, si ato tip, edhe ato të nënshkruara nga palët, prezencën dhe zbatueshmërinë e metodologjisë/politikës së miratuar për llogaritjen e normave të interesit dhe komisioneve që aplikon, publikimit të kushteve të punës dhe normave të interesit në ambientet e tyre të punës dhe faqen zyrtare të internetit, njoftimin e klientëve në momentin e ndryshimit të normave të interesit etj. Klientët e këtyre subjekteve gëzojnë të drejta për mbrojtjen e konsumatorit, si dhe të drejtat për t’u informuar. Nga verifikimet e kryera, rezulton se subjektet e mikrokredisë i kanë zbatuar rregullat e përcaktuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me informimin e klientit dhe publikimin e informacionit të nevojshëm, në mënyrë që konsumatori të marrë një vendim të informuar mbi kostot e produkteve. Krahasimi i kostove dhe analiza çmim/përfitim për produktet e zgjedhura mbetet një përgjegjësi e vetë konsumatorit, që duhet të konsiderohen me kujdes nga ana e konsumatorëve, përpara krijimit të një marrëdhënieje kontraktuale.

A mund të ndërhyjë banka për rregullimin e tyre?

Ashtu siç edhe përmendëm në pikën më lart, kuadri ligjor dhe rregullator në fuqi i Bankës së Shqipërisë nuk parashikon kufizime në lidhje me çmimet për normat e interesit dhe komisionet që mund të aplikohen nga institucionet bankare/financiare. Megjithatë, përpos më lart, Banka e Shqipërisë po u kushton vëmendje të veçantë çmimeve të aplikuara nga subjekte të caktuara në krahasim me tregun, duke ndërmarrë një proces që synon analizimin e këtij fenomeni dhe, nëse vlerësohet e arsyetueshme, adresimin e tij nëpërmjet ndërhyrjeve ligjore apo rregullative.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive

"Ngrin" pagesa e kredive, për 3 muaj

Bankat nuk do kërkojnë shlyerjen e kësteve