Sezoni 2019-20 i EuroLeague dhe EuroCup në basketboll është anuluar. Klubet konfirmuan vendet për sezonin 2020-21 dhe do të fillojnë përkatësisht në 1 tetor dhe 30 shtator të këtij viti. Ky është vendimi i Bordit Ekzekutiv të Aksionarëve të Aseteve Tregtare të Euroleague, që u mblodh për herë të katërt që nga pezullimi më 12 mars.
Në njoftimin zyrtar shkruhet: “Shëndeti dhe siguria e sportistëve tanë, tifozëve, stafit, partnerëve dhe komuniteteve lokale mbetet përparësia jonë kryesore. Evolimi i Covid-19 në territore të ndryshme ku luhen ndeshjet e EuroLeague dhe EuroCup nuk garanton që të gjitha ekipet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Autoritetet lokale po vendosin kufizime të ndryshme në lëvizjet e qytetarëve dhe kjo do të ndikonte në ekipet që marrin pjesë në ligat tona. Në përputhje me vlerat tona të vazhdueshme të integritetit dhe drejtësisë sportive, Bordi Ekzekutiv vendosi të mos njohë asnjë ekip si kampion për sezonin 2019-20 në Euroleague dhe EuroCup.”
Është hera e parë në historinë 20-vjeçare të Euroleague që nuk do të ketë fitues. Kryesues ishin turqit e Anadolu Efes, ndjekur nga Real Madrid dhe Barcelona.