MENU
klinika

Nga Kavaja, Fieri e Berati respektojnë protokollin

Besimtarët myslimanë festojnë sot Fiter Bajramin, falen në xhami

24.05.2020 - 08:12

Pas 30 ditësh agjërimi besimtarët myslimanë në mbarë vendin festojnë sot Fiter Bajramin, festën që mbyll Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Ndryshe nga vitet e mëparshme kur falja e Fiter Bajramit është kryer nga besimtarët mysliman në sheshet e qyteteve, këtë vit pandemia e koronavirusit ka diktuar rregullat.

BERAT
Në Berat, këtë vit falja u krye në dy xhami në qytet. Ka qenë Myftinia e Beratit ajo që një ditë më parë njoftoi të gjithë besimtarët mysliman se Namazi i Bajramit do të kryhej në dy xhami: në Xhaminë e Plumbit dhe në Xhaminë e Sahatit. Përzgjedhja e këtyre dy xhamive, njëra në hyrje të qytetit dhe tjetra në qendër u krye me qëllim shpërndarjen e besimtarëve sipas lagjeve dhe mos grumbullimin e tyre gjatë faljes. Falja e Namazit të Bajramit ka filluar paralelisht në të dyja xhamitë në orën 06:00 të mëngjesit. E ndërsa në Xhaminë e Sahatit falja e besimtarëve u krye vetëm brenda ambienteve të xhamisë, në Xhaminë e Plumbit falja nisi fillimisht jashtë ambienteve të xhamisë dhe përfundoi brenda saj.

Ka qenë Myftiu i Beratit, Baftjar Këllezi ai që ka uruar besimtarët për më shumë mirësi, paqe e begati.
“Sot është një ditë e bekuar, një ditë e madhe gëzimi. Allahu fuqiplotë na bëri të përjetojmë madhështinë e Ramazanit dhe të gjithë ne u bekuam në agjërim dhe lutje. Ramazani erdhi tek ne për të na treguar një tjetër model, sesi duhet të jetë besimtari në raport me Zotin, me veten e tij dhe me të tjerët. Le të fillojmë këtë Bajram të mendojmë për përmirësimin tonë për kthimin tonë drejt rrugës së drejtë. Mbarimi i Ramazanin nuk nënkupton mbarimin e veprave të mira, pasi bujaria e besimtarit mysliman nuk duhet të shterojë asnjëherë. Feja islame është fe universale që të mëson të mirën, të drejtën, dashurinë, sakrificën dhe vllazërinë”, -është shprehur Myftiu i Beratit.

KAVAJË
E njëjta situatë ka ndodhur dhe në Kavajë, ku qindra besimtarë myslimanë falën sot Namazin në xhaminë e madhe të qendrës dhe xhamitë e tjera të qytetit. Së bashku me urimin për destën, besimtarët u lutën sot në këtë ditë të shënuar për më shumë shëndet, paqe, dashuri dhe lumturi për ta dhe familjet e tyre.

Myftiu i Kavajës Besnik Leçini në hytben përpara faljes kërkoi nga besimtarët të luten tek i Madhi Zot për më shumë shëndet, mirësi dhe harmoni në familjet e tyre dhe të shtojnë në lutjet e tyre për kalimin e situatës së vështirë që po kalon i gjithë vendi për shkak të pandemisë së krijuar nga koronavirusi.
Një mesazh urimi për besimtarët muslimanë ka bërë edhe Kryetari i Bashkisë Redjan Krali i cili ka shkruar se besimi në Zot dhe solidariteti me njëri-tjetrin janë ushqimi më i shëndetshëm shpirtëror për t’i bërë ballë kësaj kohë jo të lehtë të krijuar nga Covid19.

FIER
Si rrallë herë besimtarët Myslimanë në Fier kanë falur Fiter Bajramin në distancë.
Falja e Namazit në xhaminë e qytetit të Fierit është bërë duke ruajtur distancën, ndërsa është venë re edhe një numër më i vogël besimtarësh, krahasuar me vitet e kaluar. Disa prej besimtarëve kanë qenë brenda ambienteve të xhamisë, gjithmonë duke respektuar distancën për shkak të situatës së pandemisë. Besimtarët i ka uruar edhe myftiu i xhamisë së Fierit Valdrin Mera.