Më 12 maj 1949, mori fund bllokada e Berlinit, ku Britania e Madhe luajti një rol kyç. Britanikët kuptuan se, rruga për të fituar zemrat dhe mendjet për demokracinë kalonte përmes stomakut.
Megjithëse marrëdhënia mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe ishte e vështirë, pas Luftës së Dytë Botërore, angazhimi britanik u provua kur Londra zyrtare ndihmoi në thyerjen e bllokadës sovjetike të Berlinit, e krijuar 70 vite më parë, për t’i thyer përmes urisë aleatët.
Bernd von Kotska nga Muzeu i Aleatëve në Berlin, thotë se një aksion i tillë kaq spektakolar nuk do të ishte më i mundur sot.
“Të sjellësh nga ajri ushqime dhe mall në kryeqytetin e armikut të dikurshëm, që sapo kishte bombarduar Londrën dhe Coventryn dhe ta bësh këtë, kur vetë në vend duhet të fillonte racionimi i ushqimit për britanikët kjo është një situatë unikale” – thotë von Kotska. “Të them hapur, kjo është një situatë, që askush nuk do ta përsëriste më sot”.
Si dy vende armike, Britania e Madhe edhe Gjermania e njihnin urinë, nga racionimi gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe hapat e parë drejt një marrëdhënie të re, filluan përmes ushqimit. Si pushtues të Gjermanisë veriperëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, Britania e Madhe kishte përgjegjësinë e të ushqyerit të një popullsie nën rrezikun e vdekjes nga uria.
Kur qeveria laburiste bëri të ditur planin e racionimit në korrik 1946, diçka që britanikët nuk e kishin përjetuar madje as gjatë luftës, ajo e justifikoi vendimin si një sakrificë. Për të penguar gjendjen e urisë ku “njerëzit në vendet armike të okupuara ishin në rrezik të lartë të vdisnin nga uria”, siç shkroi Susan Cooper në librin “Koha e Kursimit”, buka duhej të racionohej, bashkë me shkurtime në proshutë, mish pule, oriz, vezë dhe yndyra.
Importet e drithit ishin rrezikuar pasi prodhimi botëror kërcënohej nga një dimër i ashpër. Ideja ishte që drithërat amerikane të mund të ndërronin drejtim e të vinin për të ushqyer zonat e pushtuara nga britanikët.
Një ide aspak popullore dhe ndoshta edhe jo aq e domosdoshme, sepse racionet nuk ishin shumë më të vogla, se ato që njerëzit ishin mësuar të hanin, por njerëzit e kuptuan gjuhën e urisë në mesin e sakrifikimeve të pashembullta të kohës.
Në një raport britanik nga viti 1946, citohet një komandant nga zona britanike Sir Sholto Douglas, që thotë se ishte vendimi i duhur strategjik për të ndihmuar Gjermaninë, se ‘ajo që po ndodh në këtë pjesë të Gjermanisë është po ashtu edhe shqetësimi juaj.’
Racionimi i bukës ishte një nga impulset e para në përpjekjen e britanikëve „për të fituar paqen” në një kohë që po kristalizohej Lufta e Ftohtë me sovjetikët. Ata duhet të bindnin publikun në të dyja anët, se si armiq të dikurshëm jemi tani miq përballë një armiku të ri. „Demokracia në Gjermani ishte në fillime”, thotë Bernd von Kotska. “Ishte esenciale të thuhej – nëse ne duam të ndërtojmë demokracinë, duhet të sigurojmë që kjo demokraci është e aftë të ushqejë njerëzit.”
Por, vetëm dy vite më vonë, Bashkimi Sovjetik u përpoq të përdorte urinë në Gjermani, për të marrë kontrollin e plotë të pjesës lindore. Plani britanik i racionimit përfundoi në korrik 1948. Por pak para përfundimit të tij, mosbesimi i vazhdueshëm që ziente mes aleatëve perëndimorë dhe britanikëve pas futjes në perëndim të një valute të re për të stabilizuar ekonominë, çoi në bllokadën sovjetike të Berlinit. Pasi sovjetikët prenë hyrjet nga toka, hekurudha dhe uji për në Berlin në sektorët e kontrolluar nga britanikët, francezët dhe amerikanët, çdo gjë u bllokua.
Por duke e parë Berlinin si fortesë kundër ekspansionit sovjetik, aleatët u përballën me sfidën dhe vendosën në 24 qershor për planin britanik të aviacionit të njohur si “Air Commodore Reginald waite”. “Ishte gati e paimagjinueshme në vitin 1948 të mbështesje pjesën perëndimore të qytetit me më shumë se dy milionë banorë ekskluzivisht nga ajri dhe Reginald Waite ishte oficeri i parë që mendoi se kjo ishte e mundur”, thotë von Kotska.
E njohur në Gjermani si ura nga ajri, britanikët dhe amerikanët filluan misionin e hedhjes së ushqimeve nga ajri pa pushim duke krijuar një urë virtuale në qiell. Francezët që po ashtu vuanin pasojat, iu bashkuan misionit.
Më shumë se 25 aeroplanë civilë britanikë iu bashkuan zinxhirit të fluturimeve në një interval ngjitjeje dhe zbritjeje prej 90 sekondash nga aeroporti në të tre sektorët e aleatëve, duke hedhur rreth 5000 tonë ushqime dhe benzinë në ditë.
Berlinezët rezistuan 318 ditë, derisa sovjetikët pasi e kuptuan, se sa kishin rënë në sytë e publikut e përfunduan bllokadën më 12 maj 1949.
Nëse SHBA kreu shumicën e ushqimeve, britanikët transportuan afër një çerekun e tyre, vetëm tre vjet pas luftës, dhe kjo e rriti në mënyrë të ndjeshme rolin britanik. Ajo tregoi guximin politik, që nuk është kaq i dukshëm sot, thotë von Kotska nga Muzeu i Aleatëve në Berlin.
“Kush mendoni, se do të fitojë zgjedhjet duke i treguar votuesve, se po, e di që kemi racionuar me vite, por do të vazhdojmë me këtë… se do të ofrojmë mbështetje për një vend që hodhi bomba vetëm tre vjet më parë tek ne”, ka thënë ai.