MENU
klinika

Kreu i UEFA-s: Nuk ndikojmë dot te qeveritë

Ceferin: 80% e ligave do ta përfundojnë sezonin

15.05.2020 - 12:20

Futbolli po rikthehet në fushën e blertë në Europë. Bundesliga gjermane do të jetë e para që do të ristartojë, ku nesër ekipet do të zbresin në fushë për të luajtur javën e 26-të. Edhe vendet e tjera kanë shpallur datat, por rinisja në ligat kryesore do të ndodhë në mesin e qershorit.

Kështu, La Liga ka shpallur datën 12 qershor, ndërsa Seria A pritet të rinisë më 13 qershor sipas datës së miratuar nga Lega. Premier League nuk ka një datë të fiksuar, por më e hershmja është 12 qershori dhe më e vona 19 qershor. Gjithsesi, të gjithë këto liga kryesore në Europë po presin miratimin e qeverive përkatëse për të filluar.

Por ka edhe kampionate të vogla që kanë nisur, siç është rasti i Ishujve Faroe, apo në Bjellorusi ku futbolli nuk është ndaluar fare. Ndërsa Portugalia do të rinisë më 4 qershor, Kroacia më herët, më 31 maj e kështu me radhë. Por ka edhe liga që e kanë mbyllur sezonin në fushën e lojës. E Belgjika ishte e para, Holanda pasoi me pas dhe në fund Franca. Për këtë të fundit ka folur edhe presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin:.

“Për mua, ishte një vendim i parakohshëm. UEFA është e pafuqishme kur vendos qeveria e një shteti. Ne kemi dy klube franceze që janë në Champions dhe tani ata nuk do të luajnë deri në gusht. Nëse kualifikohen, do mendojmë për fusha neutrale ndoshta. Ligat kombëtare janë një gjë më vete dhe ata do të vendosin veçmas se si dëshirojnë të vazhdojnë, por mendoj se të paktën 80% do ta përfundojnë sezonin në fushë.”

Një nga ligat që kërkon t’i shkojë deri në fund është edhe ajo shqiptare, madje është fiksuar 3 qershori për të rifilluar, por që duhet pritur vendimi i Qeverisë shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Shpërthen" kryeministri slloven

“Vendim kriminal”, kreu i UEFA-s nën akuzë