Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, është kundër diskutimit të nismës së qeverisë për legalizimin e kanabisit medicinal nëse më parë kjo nismë nuk ka marrë aprovimin e SHBA dhe BE-së.
Në një intervistë, Buxhuku u shpreh se nëse qeveria shqiptare do të ndërmerrte një hap të tillë atëherë mund të dëmtojë marrëdhëniet strategjike me vendet partnere si dhe do të xhironte në vend arritjet e deritanishme sa i përket integrimit të vendit. Po ashtu, sipas kreut të Konfindustrisë, legalizimi i kanabisit do të dëmtonte edhe bujqësinë duke bërë që në Shqipëri të kultivohet vetëm kanabisi dhe asnjë kulturë tjetër.
INTERVISTA
Z. Buxhuku, cili është mendimi juaj për nismën e fundit të qeverisë për ligjërimin e prodhimit të kanabisit në Shqipëri?
Para së gjithash, duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një çështje, që normalisht tejkalon ndjeshëm mundësinë e plotë vendimmarrëse të cilësdo qeveri shqiptare, pa asnjë paragjykim. Çfarë dua të them me këtë? Çdo debat për mundësinë dhe leverdishmërinë ekonomike të diskutueshme të prodhimit të kanabisit në Shqipëri, ka kuptim të fillojë vetëm atëherë kur qeveria të ketë shpallur haptazi, se ka kërkuar dhe ka marrë miratimin e aleatëve strategjikë të BE, SHBA. Shto këtu edhe miratimin nga vende të tjera të BE, që janë tregjet pritëse të para në përballje me dërgesat e paligjshme të sotme të sasive të kanabisit shqiptar. Në radhë të parë të Italisë. Nëse shtetet e mësipërme nuk kanë dhënë miratimin, atëherë është mirë të mbyllet gjithçka pa u zgjatur më shumë. Ndryshe, gabimi do të ishte jo vetëm një humnerë ekonomike e sigurt, por arrin deri në prekjen e interesave strategjike afatgjata të shqiptarëve si komb. Deri më sot, nuk kemi një shprehje të qartë të qeverisë, nëse është hapur drita e gjelbër nga aleatët për nismën në fjalë. Dhe, për hir të së vërtetës, nuk besoj se mund ta hapin dritën e gjelbër. Të paktën tani për tani.
Përse mendoni se do të preken interesat strategjike të shqiptarëve nëse kanabisi formalizohet pa marrë miratimin e BE dhe aleatëve të tjerë?
Sepse, Shqipëria, për shansin tonë të mirë, është shtet me sovranitet të kufizuar. Dhe jo vetëm ne, por edhe shtete të tjera të Rajonit. Arsyeja është për shkak të detyrimeve në kuadër të proceseve integruese dhe aleancave euroatlantike ku jemi përfshirë. Sidomos kur vjen fjala për çështje të tilla të ndjeshme, sikurse është tregtia e narkotikëve, qartësisht janë partnerët ndërkombëtarë që vendosin. Aq më shumë kur dihet njolla e errët, që ne fatkeqësisht kemi këtë fushë. Formalizimi pa leje i kanabisit do të thoshte të ndalonin gjithë proceset e deritashme të integrimit në BE dhe aleancat euroatlantike. Dhe jo vetëm kaq. Nëse edhe për nismën e amnistisë fiskale nuk është marrë miratimi i aleatëve, atëherë bëhet vërtet e rrezikshme për të prekur edhe më rëndë interesat kombëtarë. Armiqtë tanë historikë do të kishin arsye të tundnin para botës së qytetëruar tezën e vjetër se shqiptarët janë të aftë vetëm për të ndërtuar antishtetin e pastrimit të “parave të zeza” dhe tregtisë së narkotikëve në zemër të Europës.
Por, përse BE duhet të ndihet e prekur, kur kemi të bëjmë vetëm me ligjërim të prodhimit të kanabisit me sasi të kufizuara, vetëm për qëllime mjekësore?
Nuk besoj se duhet ndonjë aftësi e madhe që të kuptohet se kur një shtet për dhjetëra vjet kthehet në eksportues të rëndësishëm botëror i kanabisit, edhe kur është i ndaluar rreptësisht me ligje të ashpra prodhimi edhe i një bime të vetme, se çfarë mund të ndodhë kur të fillojë lejimi masiv. Shqipëria rrezikon të kthehet në një magazinë të madhe formale e kanabisit në pragun dhe vetë trupin e BE. Treçereku i punës bëhet pa asnjë rrezik. Mbetet vetëm çereku tjetër i punës në pritje të kohës së mirë për skafet, anijet, avionët dhe makinat për të kryer “eksportin”. Të mendojmë për një çast se shtetet e BE e kanë dhënë miratimin për ligjërimin e prodhimit të kanabisit në Shqipëri.
Cili është qëndrimi juaj duke parë leverdishmërinë ekonomike të pritshme?
Pikërisht këtu fillon dhe mbaron çështja. Ju si mendoni? Italia, Spanja, Franca, Gjermania etj., nuk kanë toka, teknologji, infrastrukturë, financime etj., për të mos prodhuar vetë kanabisin? Dhe paratë e tyre mund t’i merrnin fermerët e tyre. S’kishin pse ia jepnin Shqipërisë. Natyrisht jo. Ata e kanë të ndaluar prodhimin në vendin e tyre, deri në atë pikë, që edhe sasi të vogla për industrinë farmaceutike, i prodhon vetë ushtria. Çdo gjë tjetër emërtohet kriminale. Dhe pikërisht një analizë e tillë tregon se fitimet e kanabisit sigurohen vetëm, sepse veprimtaria është e ndaluar në shtetet e pasura të BE. Në kushte të formalizimit, çmimi do të ishte shumë më i ulët dhe seriozisht do të vihej në pikëpyetje leverdia ekonomike e prodhimit dhe e përpunimit të kanabisit. Natyrisht, të gjithë ata që do kishin investuar në kushte të tilla, do rrezikonin shumë financiarisht. Të mos ta bëjmë sikur nuk e dimë, që kanabisi ka vlerë vetëm kur hyn ilegalisht për përdorim të ndaluar në tregjet e pasura të BE dhe jo si medikament farmaceutik! Ndërkohë, dëmet e shkaktuara janë shumëfish më të mëdha, sesa thjesht humbje financiare për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Cilat mund të jenë arsyet e ndërmarrjes së nismës nga ana e qeverisë shqiptare? Mendoni që nuk e kanë bërë një analizë të tillë?
Arsyet mund të jenë të ndryshme. E para, që më vjen në mendje është gjendja e vështirë ekonomike. Paaftësia dhe pamundësia për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm më mënyra ligjore të shpie edhe drejt zgjidhjeve dëshpëruese. Aq më shumë kur jemi në vitin e ardhshëm zgjedhor, çuditërisht ngjashëm me Shqipërinë e “gjelbër” të 2016. Zgjidhje dëshpëruese, që mund të shtyjnë në ligjërimin e prodhimit të drogës, amnistia fiskale etj., por që në fakt të zhysin edhe më thellë në dështim, humbje dhe shkatërrim ekonomik, shëndetësor dhe vlerave demokratike. Shto këtu edhe goditjen e bujqësisë shqiptare, duke rrezikuar kthimin në monokulturën e kanabisit. Përveç dëmtimit afatgjatë të interesit gjeostrategjik të kombit shqiptar në tërësi. Aq më shumë kur çështja e Kosovës është më e nxehtë se asnjëherë. Më e lehta e këtyre lëvizjeve do të ishte bërja e blofit për të “kërcënuar” BE për procesin e integrimit. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë që grupet e trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave të “zeza” janë të fuqishme. Shkurt arsyet mund të jenë të ndryshme, por shpresoj që nismat në fjalë të ndërpriten sa më shpejt nga vetë ne. Përndryshe do ta bëjnë partnerët ndërkombëtare, por me kosto të lartë për shtetin dhe kombin shqiptar. Pandemia Covid-19 nuk mund të ndihmojë për t’i shpërqendruar në këtë rast!