MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Cili sistem politik i përballon më mirë krizat?

19.05.2020 - 16:54

Kriza COVID-19 është bërë fronti i fundit në përplasjen e përshkallëzuar të ideologjive që është bërë një tipar kryesor i gjeopolitikës vitet e fundit.

Përfaqësuese e autoritarizmit është Kina, e cila ka mbrojtur suksesin e strategjisë së saj agresive në frenimin e përhapjes së koronavirusit. Përfaqësues i demokracisë është një grup i gjerë vendesh, disa prej të cilave janë përgjigjur shumë më keq se të tjerët.

Pra, cili sistem politik është më i përshtatshëm për të menaxhuar krizat?

Nocioni që regjimet autoritare kanë një avantazh mund të jetë tërheqës. Në demokracitë, të tilla si Shtetet e Bashkuara, njerëzit mund të keqkuptojnë lirinë e tyre dhe t’i rezistojnë masave mbrojtëse si maskimi, ndërsa regjimet autoritare mund të imponojnë dhe zbatojnë me lehtësi rregulla që i shërbejnë të mirës publike.

Qeveria e Kinës është tallur madje me përgjigjen e ngadaltë në SHBA. Dhe është e vërtetë që fakti që COVID-19nisi fillimisht  në Wuhan do të ishte kundërakuza e amerikanëve. ]

Por, kur bëhet fjalë për të vlerësuar aftësinë e sistemeve politike për t’iu përgjigjur krizës, ky krahasim nuk qëndron.

Si fillim, demokracitë që mbështesin normat konfuciane, të tilla si Hong Kongu, Japonia, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajvan,  kanë menaxhuar krizën COVID-19 të paktën po aq efektivisht sa Kina. Por, edhe disa demokraci pa një traditë konfuciane, përfshirë Australinë, Austrinë, Greqinë, Zelandën e Re dhe Portugalinë po ashtu.

Në fakt, midis vendeve, performanca e të cilave gjatë krizës është vlerësuar më së shumti, shumica dërrmuese janë demokracitë.

Ajo që kanë të përbashkët këto demokraci është se udhëheqësit e tyre njohën shkallën e sfidës, komunikuan me besueshmëri me qytetarët e tyre dhe morën veprime në kohë. Në të kundërt, vendet me performanca më të këqija ose nuk u mbrojt%n (Italia dhe Spanja) ose kishin udhëheqës që me vetëdije vonuan veprimet (Brazili, Mbretëria e Bashkuar dhe SH.B.A.).

Në një farë mase, siç tregon përfundimi i dy luftërave botërore, demokracitë shpesh kanë qenë të ngadalta për të njohur kërcënimin e luftës. Megjithatë, pasi e bënin këtë, ato dominonin gjithmonë, falë një kombinimi të veprimit të vendosur dhe besimit të publikut në qeveri.

Vërtetë, disa qeveri demokratike në ditët e sotme kanë humbur besimin e publikut dhe duket se janë të vendosur të mos veprojnë. Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti brazilian Jair Bolsonaro të dy kanë luajtur me ashpërsinë e virusit dhe kanë kundërshtuar këshillat e ekspertëve, ndërkohë që kanë kënaqur nevojën e tyre narciziste për tu dukur të ashpër. Kryeministri britanik Boris Johnson ka shfaqur tendenca të ngjashme.

Gjatë krizës COVID-19, shumë koka të qeverive demokratike janë shfaqur si shembuj të udhëheqjes.

Në Zelandën e Re, Kryeministrja 39-vjeçare Jacinda Ardern ka folur për kërcënimin që paraqet virusi, i bëri thirrje njerëzve për përgjegjësi të përbashkët dhe zbatoi masa të bazuara në shkencë.

Në Gjermani, stili i qetë, transparent dhe i besueshëm i kancelares Angela Merkel ka kontribuar në një përgjigje që e ka mbajtur të ulët normën e fatalitetit. Një veprim i vendosur dhe i ndërmarrë në kohë nga Mette Frederiksen i Danimarkës, Tsai Ing-wen e Tajvanit, Erna Solberg e Norvegjisë, Katrín Jakobsdóttiri e Islandës, dhe Sanna Marin e Finlandës kanë prodhuar rezultate të ngjashme mbresëlënëse, pa u larguar nga parimet demokratike.

Këta udhëheqës kishin besimin e qytetarëve të tyre. Dhe përgjigjet e tyre e shtuan atë.

Ndërkohë, regjimet autoritare varen nga propaganda dhe censura për të ruajtur ligjshmërinë, duke e bërë mungesën e besimit në qeveri praktikisht të pafalshme. Pse do t’i besonit liderëve të Kinës, kur është raportuar se në fillim u fsheh informacioni?

Ekziston gjithashtu një arsye e mirë për të besuar se shpërthimet në Iran dhe Rusi janë shumë më serioze sesa është raportuar. Pas disa gabimesh, përfshirë refuzimin fillestar të Kremlinit për të marrë seriozisht krizën, popullariteti i presidentit rus Vladimir Putin shkoi në nivelin e tij më të ulët në 20 vitet e tij të pushtetit.

Në krahasimin e performancës së vendeve gjatë krizës COVID-19, ekzistojnë edhe faktorë që nuk kanë asnjë lidhje me sistemet politike. Vende që kanë përjetuar shpërthime të sëmundjeve infektive në të kaluarën, të tilla si Kina, Vietnami, Hong Kong, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajvani, përfitojnë nga njohuritë institucionale.

Por edhe këtu, me përjashtim  të Vietnamit, demokracitë duket se i kanë mësuar më mirë mësimet e shpërthimeve të së kaluarës. të kundërt, Kina përsëriti gabimin e saj nga epidemia SARS, duke u përpjekur fillimisht ta fshihte.

Problemi nuk është se Kina nuk e mësoi mësimin e saj; problemi është se nuk mundi ta mësonte. Dhe kjo është çështja. Në demokraci, një krizë është një provë politike: një lider duhet të ruajë ose forcojë besimin e publikut, ose të rrezikojë të mos votohet në zgjedhjet e ardhshme.

Por në një autokraci, një krizë është një kërcënim për legjitimitetin e regjimit, dhe në të vërtetë, për mbijetesën e tij.

Të presësh që një qeveri e tillë të përgjigjet ndryshe, siç ka kërkuar Trump nga kinezët, mund të jetë e barabartë me thirrjen për ndryshim të regjimit.

Shlomo Ben-Ami, një ish-ministër i jashtëm izraelit, është nënkryetar i Qendrës Ndërkombëtare për Paqen Toledo.

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ Konica.al