MENU
klinika

"Nënë Shqipëri"

Dita e Dëshmorëve të Kombit

05.05.2020 - 10:40

       Një datë e rëndësishme historike për shqiptarët: 5 Maji përkujton Dëshmorët e Kombit.

Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Ndryshe nga vitet e tjera, për shkak të masave të marrë në luftën kundër koronavirusit sot në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut do të vendosen vetëm kurora me lule.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisën përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.

Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”.

Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut.

Në vitin 2000, u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.

***
E gjithë Shqipëria do t’u përulet me nderim të thellë Heronjve dhe Dëshmorëve të të gjithë brezave e kohërave. Dëshmorët janë bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli hero, që gjatë Luftës II Botërore, diti t’i lidhë betejat e tij çlirimtare më ato të Popujve antifashistë me në krye aleatët anglo-sovjeto-amerikanë, kundër nazifashizmit që synonte të nënshtronte botën.

Ishin djemtë e vajzat që luftuan e ranë në Brigadat Internacionaliste Antifashiste për Lirinë e popullit spanjoll; qenë ata që ranë më 7 Prill 1939, me në krye Heroin Mujo Ulqinaku, në betejën kundër falangave pushtuese fashiste të Musolinit; janë Heronjtë e Kodrës së Kuqe, me Vojo Kushin në ballë, të frymëzuar nga heroizmi i Qemal Stafës, që nuk iu tremben as tankeve fashisye; janë trimat e Shkodrës Loce, që me Perlat Rexhepin në krye, mposhtën hordhi të tëra sulmesh fashisto-tradhëtare; janë djemtë e heroizmit të pashoq të Topanasë me Mumin Selamin në krye e të tjerë komunistë atdhetarë, antifashistë e patriotë. Që të gjithë u bënë shëmbull në mposhtjen me turp të operacionit fashist, me në krye jerakun e bandave të Milicisë Fashiste Shqiptare, Halil Alinë, që pinjollët e krerëve e tradhëtisë neofashiste i kanë ngritur atij sot eehe bust, në mes të Peshkopisë.

Janë të gjithë ata partizanë e partizane, trima, komandante e komisarë, gra e vajza martire heroina, e deri edhe pionierët dëshmorë të LANC-it që na ranë në Luftën Çlirimtare; për të arritur te Heroinat e Mirditës, e deri te ata që nga Shqipëria morën pjesë në Luftën Çlirimtare; për të arritur te Heroinat e Mirditës e deri te ata, që nga Shqipëria morën pjesë në Luftën Çlirimtare Atdhetare dhe bashkë me trimat dëshmorë që ranë gjatë Luftës Heroike të UÇK kosovare; për të ardhur pastaj edhe deri te ata që ranë në Masakrën e 4 Shkurtit ku neofashistët e sotëm guxuan t’ia rrëzojnë pllakën përkujtimore, e ata te Policët që dhanë jetën për mposhtjen krimit dhe për rend e qetësi. Janë pra, të gjithë ata, para të cilëve, përulet vetë Flamuri Kombëtar dhe me sakrificën e tyre supreme, mbajnë lart emrin e tyre në Altarin e Atdheut e të Lirisë.

Dëshmorët jetojnë, të përjetshëm në gjirin e memories së popullit, sepse janë Dëshmorët ata që kanë dhënë jeten në luftë për qëllimin e shenjtë të Lirisë së Atdheut e Kombit. Dëshmoreve u qëndron në krah lavdia. Këta heronj ishin djemtë dhe vajzat e virtytshëm, që mbeten burim frymëzimi për brezat, për ta dashur Atdheun si shqiponja folenë, sepse sikur na mëson Naimi: “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit