MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

‘Eposi i Kreshnikëve’ dhe keqinterpretime në përkthimin e Robert Elsie

16.05.2020 - 16:29

Robert Elsie e ka ba nji punë të vyeme me përkthimin e nji pjese të ciklit kreshnik. Kështu, libri i tij «Songs of the Frontier Warriors» (Illionis, 2004) bahet koleksioni i parë nga korpusi i traditës epike shqiptare në anglisht. Por pavarësisht afirmimit të tyne ndërkombëtar, Elsie po aq e ka keqinterpretue ciklin kreshnik në mënyrën ma të paskrupullt. Fjala vjen, sipas tij, kanga popullore e Gjergj Elez Alisë «sapo u kristalizue në mileun sllavo-jugor u transmetue te mileu shqiptar nëpërmjet rapsodëve dygjuhësh» (sic!)

Çuditërisht, Elsie, kurdoherë vigjilent, e pranon si të mirëqenë pandehmën e studiuesit boshnjak Rashid Gjuriq se balada shqiptare ka në qendër të bamat e Gürz Ilyasit, nji fatos legjendar në folklorin e shkijeve myslimanë të Bosnjës. Në fakt, përmbajtja e baladës shqiptare âsht e tillë që antagonizohet kryekreje kundër bajlozit që, siç thotë bardi popullor, «a dalë prej detit». Nuk ka dyshim që ky emën âsht veçse shndrrim i fjalës latine «baiulus» (i ngarkuem), term të cilin e përdornin të deleguemit e anzhuinëve në Shqipnin’ e shekullit 13-të.

Tutje kur bajlozi, sipas kangës, kërkon:

«Tim për tim kah nji vashë me ja djergun,
Ditë me ditë kah nji kreshnik me premun,
Javë për javë kah nji krahinë me djegun…»

shihet ashiqare se kemi të bajmë me prirjet për etablimin e rendit feudal në malësitë e bashkësitë e lira krahinore shqiptare.

Por për dallim prej kangës boshnjake me Đerzelez Alija – kur ky islamiku serb lufton si turk – kanga shqiptare folë për kohën kur «kishte dal nji herë nji harap prej detit».

Bash këtu, s’do mend, se bahet fjalë për nji kujtesë historike që, ashtu si te kangët kreshnike bizantine me Digenis Akritën, reflektojnë konfrontimin me botën arabe.

E megjithatë balada shqiptare nuk ka as referencë islamike si ajo e shkijeve myslimanë dhe as vinjetë kristiane si cikli bizantin. Përkundrazi, kur heroi shqiptar spraps kërkesën e arabit, ai ban thirrje në «kanun»:

«M’ke lypë motrën para se mejdanin,
m’ke lypë berret para se çobanin,
e jam dredhë n’ket log me t’kallxue,
se neve të parët nji kanu na kanë lanë
armët me dhanë përpara e mandej gjanë!»

Dhe kushdo që i lexon vargjet mallëngjyese në fund të kangës shqiptare e vëren nji paralele të qartë me nji kushtim spartan mas luftës në Thermopile.

Te kanga jonë, masi Gjergji varroset bashkë me motrën nën nji muranë, «qyqja» knon:

«Amanet, more shtegtari i malit!
N’kofsh tuj kndue ksajt, kajken me e pushue.
N’kofsh tu kajtë ksajt, gjamën për me e xanë!»

A nuk âsht e njejtë kjo me epigramin e Simonides për spartanët e Leonidës:

«ὦ ξεῖν’, ἀγγέλλειν Λακεδαιμονίοις ὅτι τῇδε
κείμεθα τοῖς κείνων ῥήμασι πειθόμενοι».

(Përkthimi:
«O i huej, lajmëro lakademonët
se këtu prehemi tu iu bind urdhnave!»)

Krejt cikli kreshnik âsht veçse nji botë «vikinge» ilire: p.sh kur Halili e gjen vëllanë, Mujin, në vorr, pozita e varrosjes gërmuq âsht e njejtë me skeletin e tumës ilire në Pazhok; Muji e varros djalin e vet, Omerin, në truallin e shpis që të kujton po ashtu varrimin e ilirëve; kur dés Arnaut Osmani shokët e vajtojnë me gjamën tradicionale të Malësisë, etj.

Pseudo-epika e shkijeve myslimanë në Bosnjë, ashtu si ajo e sivëllezërve të tyne të krishtenë në Mal të Zi e gjetkë, nuk i ka këto elemente arkaike. Atëherë qysh bahet që nji korpus me përmbajtje aq të thellë historike – si ai shqiptar – me qenë i huazuem prej mileut sllav?

“Perëndimi i andrrimeve” dhe poezia e Gasper Palit!

Jeta e shkurtër e poetit që jetoi në kohë të pavarësisë

Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fond

Biblioteka kombëtare, si u pasurua përgjatë viteve!

Pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij

Kush ishte Alfred Nobel?