Kreu i PD, Lulzim Basha është takuar me pronarët e fasonëve dhe punonjësit në Krujë e Fushë- Krujë ku dëgjoi ankesat e tyre për mungesën e ndihmës nga qeveria.
Basha dëgjoi me vëmendje pronarët të cilët i shpreheshin se kishin shkurtuar vendet e punës dhe kishin pushuar njerëz nga puna por as ata nuk kanë marrë paga lufte.
Por Basha i thotë se nuk pritet më nga qeveria pasi paratë që duhet të merrnin qytetarët i çuan për tendera e koncesione me PPP si në kohë normale.
TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË DISA FASONERI TË KRUJËS
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi disa fasoneri në Krujë për të parë nga afër pasojat e rënda të braktisjes nga qeveria gjatë pandemisë. Shkurtim i vendeve të punës, refuzim i pagesës së papunësisë për shumicën e punëtorëve të hequr, gjoba për pronarët janë 3 nga goditjet më të forta të sektorit që punëson rreth 70 mijë persona, pjesa më e madhe gra e vajza.
“Kam patur rreth 60 punonjës, kam hequr 32 nga puna, të gjitha gra dhe vetëm 11 prej tyre kanë marrë pagën e luftës. Vazhdoj të aplikoj, por nuk kam përgjigje, nuk e di a do të dëgjohet zëri”- i tha pronari i një fasonerie kreut të opozitës.
“Nga këta mos prit përgjigje. Nuk kanë as veshë për të dëgjuar, as zemër, as sy për të parë problemet e njerëzve”- u shpreh Basha. “Sikur të kishin patur pak zemër për t’ju dëgjuar, fasoneria paguan 12 milionë euro taksa, sikur ato para t’jua kishin kthyer për të mbështetur punonjësit, ju nuk do të kishit ardhur në këtë ditë. Ky është momenti i një krize të thellë ekonomike. Kësaj i dilej përpara duke paguar punonjësit, duke rritur konsumin dhe të mos detyroheshe të hiqje njerëz nga puna. Kostoja do të ishte 30 milionë euro në 2 muaj, por ai prish Teatrin Kombëtar, çon 30 mijë euro atje dhe mbyll 70 mijë vende pune. Kjo është kriminale”- theksoi kreu i opozitës.
Pronari i një fasonerie tjetër shprehu shqetësimin se problemi i zero ndihme nga qeveria i ka efektet e shtrira në kohë. “Problemi ka për të qenë në vazhdim. Po t’i shikosh, dikush që punonte para një jave, sot nuk punon më. Mund të jenë 6-7 ndërmarrje që janë mbyllur 2 ditët e fundit. Paketat nuk ishin fare për ne, pa asnjë ndihmë financiare. Nga 160 vetë vetëm 13 kanë marrë ndihmë. Kam shkurtuar shumë vende pune, më vjen keq, por isha i detyruar. Ishte thikë me dy presa. Na lanë hapur, për të na lënë pa asnjë ndihmë. Vetëm nga marsi i ardhshëm mund të rimëkëmbemi dhe pa një ndihmë financiare është shumë e vështirë”- u shpreh pronari i fasonerisë.