MENU
klinika

Çmimi i BE-së

Fitues autori kosovar: letërsi e shumë dimensioneve!

19.05.2020 - 12:23

        Shpëtim Selmani me romanin “Libërthi i dashurisë”, u shpall sot fituesi kosovar në edicionin e dymbëdhjetë të çmimit të BE-së për letërsi (EUPL), ku Kosova merr pjesë për herë të parë, bashkë me 13 shtetet pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja).

Çmimin e bashkëfinancon programi i Komisionit Europian Europa Kreative, që ka për qëllim të nxisë dialog ndërkulturor dhe promovimin e arritjeve artistike në zhanrin e romanit.

Juria kosovare e përbërë nga Lindita Tahiri (kryetare), Osman Gashi, Festa Molliqaj dhe Lindita Rugova pas shqyrtimit të listës së ngushtë me tre autorë (Azem Deliu me romanin Shënimet e krimbit Smolinski, Majlinda Bregasi me romanin “Gërsheti i prerë” dhe Shpëtim Selmani, me romanin “Libërthi i dashurisë”.), ndërsa në konsultim me Këshillin e EUPL-së, ka përzgjedhur fituesin, për të cilin, thotë: “Libri i Shpëtim Selmanit është prozë e risive dhe romani i tij është hibrid i zhanreve të ndryshme, si: prozës poetike, esesë, autobiografisë, ditarit letrar, prozës poetike. Në shikim të parë, një kombinim i tillë mund të duket fragmentar, por romani është koherent me tema dhe ide, me rrëfimtarin që persiat, proteston, dashuron, rebelohet, përqesh veten dhe të tjerët, duke përthekuar dimensione të shumta nga personalet deri tek ato politike.” Mendimi i plotë i jurisë gjendet në uebfaqen e EUPL-së : https://www.euprizeliterature.eu/news/eupl-2020-shortlist

Fituesit çmimit nga vendet pjesëmarrëse do të jenë pjesë e antologjisë vjetore të botuar nga EUPL, duke synuar një audiencë më të gjerë dhe qarkullim të teksteve në gjuhët europiane. Fituesit do të marrin shpërblimin prej 5.000€ dhe do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave.