MENU
klinika

Do të nisë më 3 qershor?

Futbolli ynë, i vetmi që nuk ka “vulën” e rihapjes

27.05.2020 - 12:48

Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti Teknik po injorojnë për herë të dytë futbollin shqiptar. Klubet e Superligës janë në ankth, do të rinisin garën më 3 qershor apo jo. Prej 18 majit skuadrat kanë zbritur në fushë stërvitje, madje në grupe, por nuk ka një vendim zyrtar nga Qeveria për datën 3 qershor, që është miratuar nga FSHF në dakordësi me klubet.

Çerdhet, kopshtet, lëvizjet ndërqytetase dhe me vendet e rajonit do të rinisin nga 1 qershori, por për futbollin mungon vendimi. Ndërkohë, në ditët e fundit skuadrat e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë kishin planifikuar disa miqësore, por nuk i kanë zhvilluar prej mungesës së lejeve nga autoritetet.

Edhe arbitrat janë njoftuar që derisa të merret një vendim zyrtar, të refuzojnë kërkesat që mund të kenë për të shkuar në ndonjë ndeshje miqësore që mund të kenë planifikuar klubet. Një situatë deri diku absurde, sepse është vetë qeveria që, pasi jep leje për të nisur stërvitjet, mban tashmë peng futbollin për ndeshjet.

Nuk është çudi që të hapen skenarë të rinj për kampionatet në rast se deri në fundjavë nuk do të ketë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.

Në këto momente FSHF dhe klubet nuk kanë interesa për shtyrjen, fjala vjen më 10 qershor, pasi kështu do të ngjeshej edhe më tepër kalendari, ose në rastin më të keq, do të digjej Kupa e Shqipërisë. Mbetet edhe 1 javë nga starti, por vendimi nga Qeveria duhet të jepet brenda këtyre 2 ditëve, pasi klubet duhet të bëhen gati.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN