I pari libër që dëshmon se edhe në shqip bëhej letërsi është “Meshari” i priftit shqiptar Dom Gjon Buzuku, i shkruar në shekullin XVI dhe i zbuluar e rizbuluar disa herë. Përveç kësaj vepre, monumentale për nga rëndësia historike, kemi edhe pak dëshmi të tjera të shqipes së shkruar si “Formula e Pagëzimit” nga Pal Ëngjëlli (1462), Fjalorthi i kalorësit gjerman Arnold von Harff (1497) dhe Ungjilli i pashkëvet pas ritit bizantin, i padatuar saktësisht por i cili, sipas Çabejt, është mjaft i moçëm.
Por kaq sa thamë më lart është vetëm njëra anë e medalies. Ana tjetër nuk është ndriçuar akoma nga drita e zbulimeve, prandaj, nisur nga hamendësime të ndërtuara në baza jo fort të qëndrueshme, Eqrem Çabej në librin “Shqipëria në Kapërcyell” paraqet disa hipoteza nga studiues të tjerë dhe jep edhe të reja nga vetë ai.
Sipas tij, dokumentet e gjetura deri më sot nuk përjashtojnë mundësinë e ndonjë shkrimi shqip edhe më të vjetër. Kjo çështje mbetet gjithmonë e hapët e do shtruar vazhdimisht, për sa kohë arkivat italina dhe sidomos ato të Vatikanit nuk janë shkundur plotësisht.
Albanalogu i madh Norbert Jokl, sipas Çabejt, duke u bazuar në të dhënat që vetë Buzuku jep në parathënien e veprës së tij, thotë se shqipja ka qenë e shkruar shumë kohë para këtij. Po sipas Çabejt, kushdo që ka lexuar këtë tekst disa herë me radhë, do të ketë të njëjtën përshtypje se gjuha e përdorur në të nuk është një arë fare e papunuar më parë.
Studiuesi tjetër Petrotta, që gjithashtu përmendet nga Çabej, mendon se në Shqipëri do të ketë pasur që përpara shekullit XVI një traditë ortografike dhe mbase edhe një gjuhë të përbashkut, sëpaku në shkrimet e përdorimit praktik.
Një tjetër dëshmi vjen nga një prift anonim i cili, në vitet 1300, udhëtoi në Ballkan. Ai shkruan për shqiptarët se kishin një gjuhë të ndryshme nga ajo latine, greke dhe sllave me anë të së cilës nuk merreshin dot vesh me të tjerët.
Por një ndër dëshmitë më të vlefshme është ajo e domenikanit frëng Brochart, pas emrit të të cilit fshihet ipeshkvi i Tivarit Gullielmus Adae. Ky shkruan për shqiptarët se këta, “ndonëse kanë një gjuhë krej më vete e ndryshe nga gjuha e Latinëvet, megjithatë në marrdhëniet e përditshme e në të gjithë librat e tyre përdorin shkronjat latine”.