MENU
klinika

Dopietë e Lewa-s, kryeson në Europë

Goleadë, Bayern “prek” titullin e tetë radhazi

30.05.2020 - 19:26

Bayern Munchen ka “vrarë” kampionatin gjerman me fitoren e sotme 5-0 ndaj Dusseldorf në “Allianz Arena”. Bavarezët qëndrojnë në krye, por tashmë 10 pikë para vendit të dytë, kur mbeten edhe 5 javë për t’u luajtur. Bayern prek titullin e tetë radhazi dhe 30-n në historinë e Bundesligës.

Vendasit e gjetën golin e avantazhit në minutën e 15-të. Një aksion i bukur i bavarezëve është finalizuar me një autogol të miqve. Pavard ka dyshuar avantazhin e bavarezëve me një goditje të bukur me kokë në minutën e 29-të. Francezi ka festuar duke “komunikuar” me VAR dhe duke e dhënë golin të rregullt.

Nuk mund të mungonte Lewandowski. Sulmuesi polak ka shënuar golin e tretë në minutën e 43-të, pas një asisti model të Muller. Mbyllet 3-0 pjesa e parë. Me të nisur e dyta, Lewa shënon golin e katërt dhe merr kryesimin i vetëm në Europë sa u përket shënuesve më të mirë me 29 gola, dy më shumë se Immobile. Davies shënon golin e pestë në 52’ dhe më pas Bayern “kursehet”.

Bayern ka regjistruar fitoren e tetë radhazi në Bundesliga. Kampionët nuk humbin që nga 11 janari në ndeshjen me Nurenberg, teksa pas asaj date kanë regjistruar vetëm 1 barazim pa gola me Leipzig dhe 13 fitore, përfshi edhe suksesin bindës 3-0 ndaj Chelsea në Londër për Champions.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN