MENU
klinika

Dhjetë vite pas krizës së borxhit

Greqi/ Shfaqet në vend spektri i një recesioni të ri

02.05.2020 - 15:15

Dhjetë vjet pasi u zhyt në një prej krizave më të rënda ekonomike të historisë së saj, Greqia po përgatitet të rizhytet sërish në një rececion të thellë menjëherë pas daljes nga kufizimi.

“Edhe pse më pak të prekur se partnerët europianë përsa i përket numrit të viktimave nga COVID-19, Greqia nuk do të përjashtohet nga një recesion shumë i thellë i parashikuar globalisht”, theksoi disa ditë më parë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
“Ndërkohë që vendi kishte parashikuar një rritje ekonomike prej 2,4% për vitin 2020, kufizimi i përgjithshëm, i vendosur që prej gjashtë javësh për të parandaluar përhapjen e pandemisë do të shkaktojë një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 10% në 2020, para një rritjeje prej 5,5% në 2021”, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

FMN-ja, kreditore e Greqisë së bashku me Bashkimin Europian dhe Bankën Qendrore Europiane, theksoi veçanërisht se industria e turizmit, motori i ekonomisë greke që përfaqëson 12% të PBB-së, do të pësojë humbje të mëdha.

“Shteti grek mund të humbë rreth tetë deri në 10 miliardë euro të ardhura këtë vit”, sipas kryeministrit.

“Ministri i Financave, Christos Staikouras kishte parashikuar një recesion të kufizuar prej 4,7%. Por skenari që ai parashikon, nëse nuk do të ketë përkeqësim të pandemisë, është një rënie me 6%”, thekson eksperti, Panayotis Petrakis.

Ky profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës shpjegon se kriza aktuale nuk është aq shqetësuese sa ajo e vitit 2010, e cila kishte karakteristika të ndryshme. Vendi kishte humbur atëherë një të katërtën e PBB-së së saj dhe papunësia kishte arritur në më shumë se 27%, para se të vendoset sot në 16%, akoma më e larta në zonën e euros.

“Recesioni i ri do të ndikojë në rritjen e papunësisë, por jo në koston e bonove greke”, thekson Panayotis Petrakis.