MENU
klinika

Pa vizitorë...

Hapen Apollonia dhe Memoriali i Skënderbeut

21.05.2020 - 22:29

        Parku arkeologjik i Apollonisë dhe vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë, janë rihapur pas izolimit dymujor, por vizitorët ende nuk duken. Situata paraqitet e vështirë, së paku deri në hapjen e kufijve.

Vendvarrimi i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit në qytetin e Lezhës, hapi dyert këtë javë, por këtij vendi të njohur historik i mungojnë vizitorët. Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore: Duke qenë se Tirana, nuk është kthyer zonë të gjelbër, as Shkodra jo, nuk ka lëvizje. Po kështu, shkollat janë të mbyllura, pasi numri më i madh i vizitorëve përbëhet nga nxënësit dhe studentët, është e pamundur … Po kështu, ndikon mbyllja e kufijve”.

Sipas përgjegjësit të Trashëgimisë Kulturore, në 2019-ën memoriali i Skënderbeut është vizituar nga rreth 30 mijë vizitorë. Ndërsa pritshmëritë këtë vit, janë të ulëta. “Fluksi zakonisht nis në maj e deri në shtator, por për shkak të situatës, kam frikë se nuk do kemi as 1/3 e vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara”.

E njëjta situatë paraqitet edhe në kalanë mesjetare të qytetit të Lezhës, si dhe muzeun etnografik. Që nga 18 maji, Parku Arkeologjik i Apolonisë në Fier, është i hapur për vizitorët. Specialisti i këtij parku, Admir Xhelaj, shprehet se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka pasur një fluks të madh vizitorësh vendas e të huaj.

“Numri, gjatë këtyre dy ditëve ka qenë minimal, por presim me lehtësimin e masave dhe hapjen e kufijve muajin tjetër, që të shtohen vizitorët” – tha ai.

Sa i përket hapjes së mozaikut, arkeologu thotë se vendimi do të merret nëse do të shtohen vizitorët. “Ne këtë vit kishim menduar të hapim e mozaikët në sektorin G, pranë Manastirit, por kjo do shihet në bazë të vizitueshmërisë”. Xhelaj, gjithashtu shprehet se janë marrë të gjitha masat e nevojshme, jo vetëm në muze, por edhe në ambientet e jashtme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN