MENU
klinika

Varvarica: Shteti ta ruajë artin e tij

“Iku me pishmane, një ndër baballarët e modernizmit”

07.05.2020 - 20:53

         Studiuesja e arteve pamore, Suzana Varvarica, në një lidhje live për News24 ka thënë se, Maks Velo i cili, u nda nga jeta sot, do të jetë një nga baballarët e modernizmit shqiptar.

Varvarica rrëfen kujtimet me Maks Velon, të cilin e njihte para viteve ’90, por atëherë, për shkak se familja Velo ishte e persekutuar nga regjimi, nuk kishin shumë lidhje edhe ata nuk njiheshin shumë, por në kohën e demokracisë u njohën në fushën e artit.

Studiuesja thotë, se Velo pati jetë shumë të vështirë, por në 2015-ën ia arriti qëllimit të vetes, duke ekspozuar veprat në Galerinë e Arteve. Po ashtu, më tej ajo thotë se, Velo iku me disa pishmane, pasi arti, jo gjithmonë e pranonte atë, duke qenë se ishte gjithmonë shumë kritik. Varvarica i bën apel shtetit, të mbyllë banesën e tij për të ruajtur veprat e artit që la pas, Maks Velo.

 

”Më vjen shumë keq, pasi jemi dhe komshinj, as 200 metro larg. E kam njohur pas viteve ’90, jo se nuk e njihja më parë, por ai kishte jetë shumë të vështirë. Ishte një shtëpi e bukur, por nuk hynte askush se ishte familja e persekutuar. Ai ishte një artist që kishte kaluar shumë vite në burg, që i ishte ndërprerë marrëdhënia me artin, sistemin, miqtë.

Nga viti 1990 deri në 2015, plot vite që Maksi, jo që nuk punoi, por iku me disa pishmane. Sistemi i artit figurativ dhe viziv, jo gjithmonë e mirëpriste, pasi ishte shumë kritik, por dhe shumë artist.

Ai ishte shumë impulsiv dhe aktiv, po ashtu artist. Nuk reshtte së punuari çdo ditë, prandaj janë gjithë ato botime dhe një seri punimesh. Shteti duhet ta “gllabërojë” një artist të mirë, duhet t’ia marrë nën mbrojtje veprat, nëpërmjet Galerisë së Arteve. T’ia bllokojnë shtëpinë, që vepra e tij të ruhet.
Ai preku gjithçka kishte të bëntë me artet pamore. Në ekspozitën e vitit 2015, Maksi arriti të thoshte:  “qëllimin që i vura, vetes e realizova”. Dua të falënderoj Artan Shabanin, që e aprovoi këtë ekzpozitë. Pasqyroi gjithë krijimtarinë e Maks Velos.

Natyrisht që ka qenë arti dhe mendësia e asaj kohe, që u futën në burg Maks Velo dhe një grup artistësh të tjerë.

Nuk pranonte mendësi të ekzekutimit të realizmit socialist, të pikturës, skulpturës dhe grafikës. E gjykuan për këto dhe për mënyrën e të jetuarit. Maks Velo, nuk është vetëm figurë horizontale, me ulje-ngritje. Artisti nuk lë vetëm gjurmë figurative, por shumë më të thella. Maks Velon, duhet ta shohim për jetën e tij. Pse duhet të jetë gjurmë në artin shqiptar. Ai është artist modern.

Ne jemi të vonuar në artin modern, por 40 vite të realizmit socialist janë peshë e rëndë dhe pikërisht Maks Velo, do të jetë nga baballarët e modernizmit shqiptar. Edhe arti ta pranojë si të tillë” – tha Varvarica.