Sot në orën 11:00 zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit Politik për reformën zgjedhore në Pallatin e Kongreseve. Përfaqësuesit e mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare pritet të diskutojnë ditën e sotme për identifikimin biometrik, krimet zgjedhore, depolitizimin e administratës zgjedhore por edhe ndryshimin e sistemit duke shqyrtuar atë danez.
Deri tani palët kanë arritur të gjejnë konsensus për 5 pika që lidhen me financimin e partive duke rritur financimin nga ana e shtetit dhe ulur ndjeshëm financimin nga privati, kuotën gjinore në zgjedhje ku 1 në 3 emra në lista do të jetë një grua, ndryshimi i periudhës zgjedhore, sistemin e monitorimit të kamerave dhe praninë e policisë në zgjedhje jashtë çdo qendre votimi dhe numërimi.
Pikat që kanë ndarë palët janë përfshirja e teknologjisë në zgjedhje, qeveria transitore që do të përgatisë zgjedhjet pikë e kërkuar nga PD, por dhe ndryshimi i sistemit e kërkuar me ngulim nga Rudina Hajdari.
E diela, 31 maj shënon afatin përfundimtar të vendosur nga palët politike për të përmbyllur reformën zgjedhore, afat që u kërkua me ngulim të respektohej edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.