MENU
klinika

Në pritje të 20 mijë të tjerë

Kosovë/ Sigurohen 11 mijë teste për Covid-19

11.05.2020 - 20:21

Presidenti i klubit të futbollit FC Prishtina, Remzi Ejupi, që njëkohësisht është edhe pronar i kompanisë së fluturimeve “Eurokoha”, i ka siguruar 11 mijë teste për COVID-19 në Gjermani. Ejupi në një intervistë për RTK thotë se në ditët në vijim do të mundë të sigurohen deri në 20 mijë teste me disa afaristë në diasporë.

Ai tha se këto teste do të dhurohen si donacion, do t’i shërbejnë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Kam diskutuar me drejtorin e IKSHPK-së Naser Ramadanin dhe me drejtues të tjerë për të bërë një donacion. Ka kërkesa të mëdha për teste, por ne arritëm që t’i sigurojmë këto teste. Ato do të vijnë në Kosovë në disa pjesë. Mjekët janë shumë meritorë për situatën në Kosovë që e kanë menaxhuar shumë mirë me ato pak kushte që i kanë pasur”, u shpreh Ejupi

Ai tha se kësaj iniciative do t’i bashkohen edhe dy afaristë shumë të suksesshëm për të siguruar më shumë teste.

“Edhe dy afaristë shumë të suksesshëm do ta na bashkohen për t’i siguruar 20 mijë teste. Dëshira ime është që 1 mijë teste të shkojnë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, por për një gjë të tillë vendos IKSHP-ja”, theksoi ai.

Ditë më parë kompania “Eurokoha” i ka rikthyer në Kosovë më shumë se 100 qytetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht studentë, që kishin mbetur atje pas mbylljes së kufijve si pasojë e pandemisë.

“Këta janë qytetarë që kanë mbetur në SHBA gjatë kohës së pandemisë. Me këtë rast kanë shprehur dëshirën për t’u rikthyer në vendlindje dhe një punë të madhe për ta e ka bërë edhe ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku”, potencoi Ejupi.